Imeri: Paradoksale, Lista Serbe kërkon barriera te Ura e Ibrit kur rajoni synon BE-në

Paradoksale dhe të palogjikshme i quan analisti i çështjeve të sigurisë, Dorajet Imeri deklaratat e Listës Serbe kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke i cilësuar ato si kontradiktore me procesin e normalizimit dhe integrimit evropian. Derisa rajoni synon integrimin ne BE, largimin e kufijve mes shteteve dhe popujve, Imeri thekson se Lista Serbe kërkon ruajtjen e barrikadave mes qytetareve.

Lista Serbe ka kundërshtuar hapjen e urës pas deklaratës nga Brukseli se janë krijuar kushtet e sigurisë për hapjen e saj. Në një letër drejtuar Zyrës së BE-së në Prishtinë, kjo parti ka kërkuar publikimin e analizës së sigurisë mbi të cilën është bazuar vendimi, ndërsa ka ngritur pikëpyetje edhe për rolin e Policisë së Kosovës në garantimin e sigurisë së serbëve.

Kjo parti, e cila shërben si dorë e djathtë e Beogradit dhe narrativave të tij në Kosovë, ka pretenduar se hapja e urës pa pjesëmarrjen dhe pëlqimin e palës serbe në dialogun e Brukselit ngre pikëpyetje mbi vetë procesin e dialogut dhe marrëveshjet e arritura përmes tij. Kjo e fundit ka kërkuar nga BE-ja të sqarojë përgjegjësitë në rast të incidenteve apo përkeqësimit të situatës së sigurisë, anipse me largimin e KFOR-it është bërë e qartë se Policia e Kosovës do të kujdeset për sigurinë në këtë pjesë.

Por, analisti politik Dorajet Imeri, vë në pah për KosovaPress se pikërisht kjo qasje e Listës Serbe bie ndesh me parimet e normalizimit dhe integrimit evropian, dhe jo hapja e urës.

Këtu ekziston një kontradiktë politike që duhet thënë qartë. Nëse të gjithë pajtohemi se e ardhmja e rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian, normalizimi i marrëdhënieve dhe heqja graduale e barrierave ndërmjet qytetarëve dhe popujve, atëherë është vështirë të arsyetohet politikisht kërkesa që një urë të vazhdojë të mbetet simbol dhe instrument i ndarjes. Nuk mund të kërkohet normalizimi në Bruksel, ndërsa në terren të kundërshtohet një prej parimeve themelore mbi të cilat ndërtohet vetë ideja evropiane – liria e lëvizjes. Lista Serbe pra po kërkon ruajtjen e dhe ngritjen e barrierave në mes qytetarëve”, thotë ai për KosovaPress.

Imeri thotë se ura duhet të trajtohet si infrastrukturë publike në shërbim të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike.

Cështja e urës së Ibrit, shton Imeri, nuk duhet të trajtohet si çështje pronësie politike apo etnike, por si çështje e lëvizjes së lirë, komunikimit dhe integrimit të qytetarëve.

“Ura kryesore në Mitrovicë duhet parë para së gjithash si një hapësirë publike dhe si infrastrukturë në shërbim të qytetarëve. Ajo nuk është pronë politike e shqiptarëve, e serbëve, ose e një partie apo e një qeverie. Është urë e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, dhe duhet të jetë në funksion të lëvizjes, komunikimit dhe integrimit. Pikërisht këtu qëndron paradoksi i pozicionit të Listës Serbe: një subjekt që pretendon se mbron interesat e komunitetit serb duhet të shpjegojë se si mbajtja e një ure mbyllur e përmirëson jetën, sigurinë apo perspektivën e atij komuniteti. Pra, kjo është tërësisht paradoksale dhe e palogjikshme, sepse ura është në shërbim të lëvizjes dhe të sigurisë e mirëqenies së njerëzve dhe kjo duhet të jetë objektivë e secilit subjekt politik, me gjasë në përjashtim të Listës Serbe”, thekson Imeri.

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila lidh pjesën jugore me atë veriore të qytetit, prej vitesh është një nga simbolet më të ndjeshme të ndarjes ndëretnike në Kosovë. Ura është e hapur për këmbësorë, por qarkullimi i automjeteve mbi të ka mbetur i bllokuar për vite me radhë. Çështja e hapjes së saj është trajtuar edhe në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika