Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është deklaruar lidhur me raportimet se ka pasur një përleshje fizike me një qytetar në qendër të Prishtinës.
Zemaj thotë se teksa ishte duke realizuar një intervistë është ofenduar dhe provokuar nga një qytetar dhe në atë moment ka reaguar në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt për çka thotë se ndjen keqardhje për situatën të cilën e konsideron të pakëndshme, njofton Dukagjini.
Tutje, Zemaj ka thënë se reagimi i tij nuk përfaqësojnë parimet e tij si deputet dhe si anëtar i LDK-së teksa ka kërkuar edhe falje publike.
“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qellim te caktuar, këtë do e vertetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk me ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, ka shkruar Zemaj.