Incidenti në “Bon Vivant”, Miftaraj: Llogari duhet t’u kërkohet shefave të policisë dhe kryeprokurorëve

Miftaraj nga IDK-ja ka deklaruar se raste të kësaj natyre siç ishte ai i “Bon Vivantit” mbrëmë, do të parandaloheshin në rast se organet nuk do t'i mbyllnin sytë. Ai përmend edhe rastin "Kobra" si një dëshmi e dështimit të zinxhirit "polici-prokurori-gjykatë"

Ehat Miftaraj – IKD

Llogaridhënie për incidentin e mbrëmjes të së premtes në “Bon Vivant” u duhet kërkuar shefave të polciisë dhe kryeprokurorëve, ka vlerësuar Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Me anë të një postimi në Facebook, Miftaraj ka deklaruar se raste të kësaj natyre siç ishte ai i “Bon Vivantit” mbrëmë, do të parandaloheshin në rast se organet nuk do t’i mbyllnin sytë.

“Përgjegjësia pse ndodhin raste si mbrëmë në Bon Vivant është e ditur. Këto vrasje janë të parandalueshme, nëse policia dhe prokuroria nuk i mbyllin sytë ndaj tyre duke mos i trajtuar dhe zgjidhur rastet ndaj tyre. Sot llogari duhet kërkuar shefave të policisë dhe kryeprokurorëve.  Jo komunikata me shkrim por të dalin në konferencë për media dhe të na informojnë se sa raste janë të hapura ndaj personave që janë përfshirë në rast, qe sa kohë janë këto raste të hapura, çka është ndërmarrur, pse po ndodhin raste të tilla. Për çudi sa më dështak shefi i policisë, kryeprokurori aq më shumë shpejtë ngriten në pozita brenda sistemit në kurriz të jetës së qytetarëve të këtij vendi”, ka shkruar Mifataraj.

Në shkrimin e tij ai përmend edhe rastin “Kobra” në Prizren, duke e cilësuar të njëjtin si  rastin më representativ të dështimit të zinxhirit “polici-prokurori-gjykatë”.

Ndryshe, në shkurt të këtij viti, me vendim të Gjykatës Themelore të Prizrenit, i është vazhduar masa e paraburgimit Dibran Hoxhës i njohur si “Kobra” dhe pesë të pandehurve të tjerë, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

Gjithmonë sipas Prokurorisë, Hoxha dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova.

Nga ana tjetër, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”. I dyshuari i shtatë R.S, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se me datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren-Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

Ky reagim i Miftaraj vjen pas të shtënave me armë në kafiterinë “Bon Vivant” në Prishtinë, me ç’rast humbi jetën një person dhe u plagosën 17 të tjerë.

Viktima ishte 39-vjeçar.

Nga Policia kanë njoftuar se në mesin e 17 të lënduarve, 14 ishin gra.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të  dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri  (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raportin 24-orësh.

Rasti është cilësuar si  “Vrasje e rëndë në tenativë dhe pjesëmarrje në rrahje”.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika