Incidenti në “Bon Vivant”, Sveçla: Palët e përfshira në konflikt kanë dhjetra vepra penale

Lëngimi i drejtësisë është "arsyeja" që sipas ministrit Sveçla, situata si plagosja e mbrëmjes të së premtes në Prishtinë nuk mund të shmangen

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se palët e konfliktit në kafiterinë “Bon Vivant” në Prishtinë kishin dhjetra vepra penale e, megjithatë, të njëjtit ishin në liri. Ai vlerëson se drejtësia ka dështuar.

“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë. Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë. Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!, ka shkruar Sveçla.

Ai ka deklaruar se Policia e Kosovës duhet të rrisë kapacitetet e saj, gjersa anash nuk ka lënë as Prokurorinë e gjykatësit.

“Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre. Është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal”, ka deklaruar Sveçla.

Tutje, ministri Sveçla paralajmëroi edhe krijimin e një taskforce për hetim të thellë të rastit të mbrëmshëm dhe jo vetëm.

“Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme!”, ka shkruar Sveçla.

Gjersa përmend “lëngimin e drejtësisë”, Sveçla përmend edhe rastin e tashmë së ndjerës, Marigona Osmani.

Ai deklaroi se sikur i dyshuari kryesor për vrasjen e saj i cili u dënua të premten me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa, do të dënohej me kohë për mbi 100 veprat penale të kryera, e ndjera do të ishte gjallë.

“Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë”, ka shkruar Sveçla.

Pesë personat e pranuar në Klinikën Emergjente pas incidentit me armë në një kafiteri në Prishtinë janë jashtë rrezikut për jetë, ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Me anë të një postimi në Facebook, nga ShSKUK-ja kanë bërë të ditur se një 39-vjeçar ka humbur jetën.

“5 persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si  pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë. Prej tyre, 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të gjithë jashtë rrezikut për jetë. Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror. Numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17. Prej tyre, 7 të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta.”, ka deklaruar ShSKUK-ja.

Vdekjen e 39-vjeçarit për Dukagjinin e kishte konfirmuar edhe shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka.

Jo më ndryshe se Policia e Kosovës, ShSKUK-ja bën të ditur se numri i të lënduarve arrin shifrën 17.

Nga Policia kanë njoftuar se në mesin e 17 të lënduarve, 14 ishin gra.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të  dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri  (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raportin 24-orësh.

Rasti është cilësuar si  “Vrasje e rëndë në tenativë dhe pjesëmarrje në rrahje”.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika