Incidenti në Shtërpcë, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit
Një incident që la të plagosur një 11-vjeçar dhe një 21-vjeçar në hyrje të Shtërpcës pasditen e të premtes, bëri që serbët dje të bllokojnë një nga rrugët e kësaj komune. Por e gjithë revolta e tyre në prani të Policisë së Kosovës zgjati disa orë, për tu kthyer më pas gjendja në normalitet. Për […]
Një incident që la të plagosur një 11-vjeçar dhe një 21-vjeçar në hyrje të Shtërpcës pasditen e të premtes, bëri që serbët dje të bllokojnë një nga rrugët e kësaj komune.
Por e gjithë revolta e tyre në prani të Policisë së Kosovës zgjati disa orë, për tu kthyer më pas gjendja në normalitet.
Për dallim prej një nate më parë situata paraqitet e qetë në Gotovushë të Shtërpcës, këtu ku mbrëmë ishin vendosur barrikada nga qytetarët serbë në pakënaqësi për një incident që kishte ndodhur, ku kishin mbetur të plagosur dy persona.
I dyshuari kryesor për këtë rast është kosovari A.K për çka edhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë sipas mjekut që po i trajton ata në Spitalin e Graçanicës.
“Njëri pacient është plagosur në dorën e majtë, dora është e enjtur por është proces normal pasi nga trupi i është nxjerrë plumbi. Edhe pacienti i dytë është në gjendje stabile, plaga e tij është afër krahut të majtë që gjithashtu i është nxjerrë plumbi. Kështu që të dy pacientët janë në gjendje stabile dhe po ndihen mirë”, ka thënë Dragan Periq nga Spitali i Graçanicës.
Nëna e 11-vjeçarit të plagosur ka folur për mediat serbe ku pohon se të shtënat kanë qenë në drejtim të asfaltit dhe jo të individëve.
“Fëmija im ka qenë në rrugë duke luajtur dhe bërë fotografi me drunjë në duar për festën e krishtlindjes, kur aty ka kaluar vetura me të dyshuarin, dhe ai ka shtënë me armë në drejtim të rrugës dhe plumbi nga asfalti e ka plagosur djalin tim”, ka thënë Zorica Stojanoviq.
Televizioni Dukagjini ka qëndruar në Shtërpcë ku ka biseduar me banorë dhe dëshimtarë të ngjarjes.
Zeqir Sadriu, banor i kësaj komune e thotë se ka parë nder vite traditën e serbëve për festën e Krishtlindjes.
Me formën e festimit të tyre tregon se është përballur më herët edhe vet.
“Ai ka mund me u trishtu në këtë rast, se ata i vnojnë disa lëkura me brinjë në kokë, vendosin thika në brez, thika në dorë, shpata të gjata, ama është traditë ajo por ky nuk e ka ditë se serbët e kanë traditë, dhe sigurisht ai ka mendu që të shkrepi në tokë, unë skam qenë aty por ashtu duhet të ketë ndodhë, të gjuaj në tokë që këta të më largohen, këtë aksident mundemi me qujt”, ka thënë Sadriu.
E, në ditën kur ka ndodhur rasti, atë rrugë e kishte marrë edhe ky banor, i cili nuk dëshiron të identifikohet.
Ai thotë se u ndesh në turmën e serbëve të cilët, sipas tij, ia vështirësuan kalimin.
“Rrugës për me kalu që me shku në Prevalac, ishin kanë një grumbuj me serbë, kishin qenë më flamuj provokues, me mjete të mbrehta, me drunjë nuk e di, edhe mezi që e kalum atë rrugë, personi ka qenë mbrapa, mendoj që u frigu shumë edhe ka vepru qashtu. Atë djalin e njoh personalisht kam lujt futboll me të, djal i mirë, i qetë, shumë i urtë nuk e di”, ka shtuar ai.
Pasditen e së shtunës, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit.
“Ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitiv të parë, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armën me leje të markës “Mossberg” model MC2C, kalibër 9X19mm, me të cilën ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367 paragrafi 1 të KPRK-së”, kanë njoftuar nga Prokuroria.
A.K dyshohet për veprat “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.















