Bashkimi Evropian dhe India kanë shpallur një marrëveshje historike tregtare, pas gati 20 vitesh negociata të ndërprera herë pas here, në një kohë kur të dyja palët synojnë forcimin e lidhjeve mes tyre përballë tensioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi përfundimin e marrëveshjes pas takimit me kryeministrin indian Narendra Modi në New Delhi, duke e cilësuar atë si “marrëveshja më e madhe nga të gjitha”. Ndërkohë, Modi e përshkroi paktin si “historik”.

Marrëveshja do të mundësojë tregti të lirë të mallrave mes 27 vendeve të BE-së dhe Indisë – vendi më i populluar në botë – që së bashku përfaqësojnë rreth 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global dhe një treg prej rreth dy miliardë konsumatorësh, raporton BBC.

Sipas Komisionit Evropian, marrëveshja parashikon ulje të ndjeshme të tarifave dhe zgjerim të qasjes në tregje për të dyja palët. Ajo do të heqë tarifat për shumicën e eksporteve të kimikateve, makinerive, pajisjeve elektrike, si dhe për avionët dhe anijet hapësinore, përmes uljeve graduale.

Një element kyç i marrëveshjes është ulja e tarifave për automjetet, të cilat aktualisht arrijnë deri në 110%. Ato do të reduktohen në 10%, nën një kuotë prej 250 mijë automjetesh.

Marrëveshja pritet të ulë kostot për produktet evropiane që hyjnë në tregun indian, përfshirë makinat, makineritë dhe disa produkte ushqimore bujqësore. Megjithatë, sektorë të ndjeshëm bujqësorë si qumështi dhe sheqeri janë përjashtuar nga pakti.

Brukseli ka bërë të ditur se marrëveshja do të nxisë investimet, do të përmirësojë qasjen në tregjet evropiane dhe do të thellojë integrimin e zinxhirëve të furnizimit.

“Është një marrëveshje historike. Ajo do t’ua lehtësojë fermerëve dhe bizneseve të vogla indiane qasjen në tregjet evropiane, si dhe do të forcojë sektorët e prodhimit, shërbimeve dhe partneritetet inovative”, deklaroi Modi.

Marrëveshja vjen në një moment kur si India ashtu edhe BE-ja përballen me presione ekonomike dhe gjeopolitike nga SHBA-ja. India aktualisht po përballet me tarifa 50% të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump vitin e kaluar, ndërsa bisedimet për një marrëveshje tregtare Indi-SHBA vazhdojnë të zvarriten.

Ndërkohë, Trump së fundmi kishte kërcënuar përshkallëzimin e luftës tregtare me aleatët evropianë për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj një marrjeje nën kontroll të Groenlandës nga SHBA-ja, përpara se të tërhiqej nga deklaratat.