Tensionet ndërmjet Indisë dhe Pakistanit kanë arritur një pikë të re, pasi qeveria indiane ka njoftuar nisjen e një sulmi të përqendruar të quajtur “Operacioni Sindoor” ndaj objektivave që, sipas saj, përfaqësojnë infrastrukturë terroriste në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani.

Ky veprim vjen pas një sulmi të përgjakshëm muajin e kaluar ndaj turistëve në Kashmirin e administruar nga India, shkruan BBC.

Në një deklaratë zyrtare, qeveria e Indisë konfirmoi se nëntë objektiva janë goditur, duke theksuar se operacioni është zhvilluar në mënyrë “të fokusuar, të matur dhe jo përshkallëzuese”.

India pretendon se asnjë objektiv ushtarak i Pakistanit nuk është goditur, duke përforcuar narrativën se kjo ishte një goditje ndaj terrorizmit dhe jo një akt lufte ndaj shtetit pakistanez.

Nga ana tjetër, reagimi nga Pakistani ka qenë i ashpër. Ushtria pakistaneze e cilësoi sulmin si “të turpshëm dhe të pabesë” dhe premtoi se do të përgjigjet në kohën dhe vendin e përcaktuar nga vetë ajo.

Zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze deklaroi se të gjitha avionët luftarakë janë tashmë në ajër, duke sinjalizuar përgatitje për kundërpërgjigje të mundshme.

Televizioni shtetëror i Pakistanit citoi zëdhënësin ushtarak të konfirmojë se India ka përdorur raketa në tre lokacione, ndërkohë që janë raportuar shpërthime të forta dhe shkëmbime të zjarrta në zonat kufitare të Kashmirit të administruar nga Pakistani.

“Të gjithë avionët tanë të forcave ajrore janë në ajër. Ky është një sulm i turpshëm dhe frikacak që u krye nga brenda hapësirës ajrore të Indisë”.

Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë thelluar që nga sulmi ndaj turistëve, me Indinë që akuzon Pakistanin për përkrahje të terrorizmit ndërkufitar – akuza që Pakistani i mohon kategorikisht.