“Insistimi i KPK-së për Isufajn”, Miftaraj: Më shumë ka argumentim politik sesa kushtuetues e ligjor

"Shkresa prej tetë faqeve, fatkeqësisht më shume ka argumentim politik dhe shumë ose fare argumentim kushtetues dhe ligjor që e bind publikun se procesi ka qene i drejtë, i paanshëm, meritor dhe i pavarur", ka shkruar Miftaraj

Ehat Miftaraj – IKD

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

Përmes një postimi në Facebook, Miftaraj ka thënë se kjo shkresë më shumë ka argumentim politik sesa ligjor e kushtetues, duke theksuar se e sheh si parapërgatitje të rastit për Gjykatë Kushtetuese nga partitë politike sesa kërkesë serioze për dekretim të Isufajt.

“Shkresa prej tetë faqeve, fatkeqësisht më shumë ka argumentim politik dhe shumë ose fare argumentim kushtetues dhe ligjor që e bind publikun se procesi ka qenë i drejtë, i paanshëm, meritor dhe i pavarur. Shkresën më shumë e pashë si parapërgatitje e rastit për Gjykatë Kushtetuese nga partitë politike se sa kërkesë serioze për dekretimin e kandidatit të propozuar nga KPK”, ka shkruar Miftaraj.

Miftaraj ka thënë ndër të tjera se sipas kësaj shkrese, kandidati për kryeprokuror të Shtetit është “dëm kolateral i vetë Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

“Se sa jokompetent është Këshilli Prokurorial, e dëshmon pretendimi i tyre se me mosdekretimin e Blerim Isufaj, cenohen të drejtat e tij kushtetuese të përcaktuara me nenin 45 të Kushtetutës”, ka vijuar ai.

Ai ka sqaruar tutje se neni 45 i Kushtetutës thotë se çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.

“Ky Këshill do të thotë nuk e kupton se kjo e drejtë, është e drejtë politike për të kandiduar për deputet/e, kryetar/ekomune, asambleist/e dhe e drejtë për të votuar në zgjedhje parlamentare dhe komunale e assesi e drejtë për t’u emëruar në një post publik përmes procesit të konkursit. Kjo shkresë të ndërton bindjen se vetë KPK po punon që Blerim Isufaj të mos dekretohet. Dhe kjo nuk i bën nder as Blerim Isufajt e as vetë KPK”, ka theksuar ai.

Ndryshe, sot, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli.

“Po, është e vërtetë që e kanë dërguar edhe një herë, po po Këshilli me vendim”, tha Grantolli.

Po ashtu, edhe anëtari tjetër i KPK-së, Arian Gashi, tha se ishte formuar një grup që ka analizuar çështjet e ngritura dhe pastaj e ka dhënë secili qëndrimin.

“E di që është formuar një grup që ka pasur me i analizu këto çështjet e ngritura, është dërguar, pastaj të gjeturat lidhur me këtë çështje dhe na kemi dhënë secili qëndrimin tonë. Mbledhje e veçantë nuk është mbajtur se nëse ishte mbajtur mbledhja, ishit informuar besoj të gjitha mediat”, tha Gashi.

Kurse, Bekim Kupina, këshilltar për medie i presidentes Osmani, tha për Portalin Dukagjini se kanë pranuar një letër nga kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.

“Ka ardhur një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, konfirmoi Kupina.

Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani, më 17 tetor 2023, përmes një konference për medie njoftoi se e ka njoftuar KPK-në që duke u bazuar në shkeljet e evidentuara në proces, nuk mund ta dekretojë Isufajn për kryeprokuror të Shtetit.

“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës, në lidhje me këtë vlerësim të procedurës, duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura, më obligon të mos bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror të Shtetit, sipas propozimit të Këshilit Prokurorial”, kishte thënë Osmani.

Ndërsa, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempus“, Osmani renditi shkeljet që janë evidentuar në këtë proces, kurse theksoi se për dekretimin e kryeprokurorit ka pranuar edhe kërcënime.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika