Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit në Pejë, Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës ka realizuar sot një aksion të gjerë inspektimi te operatorët ekonomikë që tregtojnë metale të çmuara në Rajonin e Pejës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, qëllimi i këtij operacioni ishte verifikimi i ligjshmërisë së tregtimit, prejardhjes së metaleve të çmuara dhe respektimit të standardeve teknike sipas legjislacionit në fuqi në Kosovës.

“Gjatë kontrolleve të detajuara në terren, inspektorët e tregut dhe zyrtarë të institucioneve pjesëmarrëse në këtë aksion kanë evidentuar shkelje të cilat kanë rezultuar me masat e mëposhtme: Ndalim i përkohshëm i mallit IQMT ka gjetur dhe ndaluar një sasi prej mbi 20 kg ari, i cili ishte i paverifikuar dhe pa shenjëzuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Ky mall do të mbetet i bllokuar deri në përfundimin e procedurave të rregullta ligjore”.

“Sekuestrim i metaleve të çmuara gjatë këtij aksioni janë sekuestruar mbi 25 kg punime të metaleve të çmuara – ari, për të cilat subjektet ekonomike nuk kanë arritur të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm mbi prejardhjen e tyre. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e një tregu të barabartë e të ligjshëm”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se tregtimi i metaleve të çmuara pa shenjëzim nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës si dhe pa dokumentacion të rregullt përbën shkelje të rëndë dhe të ndëshkueshme.