Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka njoftuar se po vazhdon kontrollet në treg për produktet e qumështit në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas IQMT-së, gjatë ditës së sotme janë inspektuar markete në rajonet e Prizrenit, Ferizajt, Vushtrrisë dhe Gjilanit, ku janë gjetur ende në shitje produkte të ndaluara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
“Në kuadër të këtyre inspektimeve janë konstatuar ende në treg produkte të cilat janë ndaluar për shitje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).”
Nga raftet e marketeve të inspektuara janë tërhequr këto produkte:
- Qumësht 3.2% VIDAS – 1 L
- Holla Cooking Cream – 1 L
- Garden Milk – 1 L
- Spec me krem VIDAS – 1 kg
- Magic Cream – 400 g
- Schmand 18% – 800 g
- Djath i bardhë 100% – 250 g
IQMT ka bërë të ditur se inspektorët kanë urdhëruar operatorët ekonomikë që produktet të largohen menjëherë nga raftet e shitjes.
“Inspektorët e IQMT-së kanë urdhëruar operatorët ekonomikë që këto produkte të tërhiqen menjëherë nga raftet e shitjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”
Inspektorati u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që t’i zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e produkteve dhe të respektojnë vendimet e autoriteteve kompetente.
Po ashtu, IQMT ka apeluar te konsumatorët që të raportojnë rastet kur këto produkte hasen ende në treg.
“Nëse hasin në treg ndonjërin nga produktet e lartcekura, të ndaluara për shitje nga AUV, ta raportojnë rastin përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000.”
Kontrollet e IQMT-së po vazhdojnë në kuadër të masave për zbatimin e vendimeve të autoriteteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
