Me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Policia e Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti për Mjekësi Ligjore do të zhvillojnë një vizitë në lokacionin e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut.
Vizita do të zhvillohet të premten, më 28 gusht, në orën 12:00, në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur.
Sipas njoftimit të përbashkët të institucioneve, aktiviteti organizohet në shenjë respekti dhe nderimi për viktimat e zhdukjeve me forcë, si dhe për të shprehur solidaritetin dhe përkrahjen ndaj familjeve që për më shumë se dy dekada vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe fatin e të afërmve të tyre.
Institucionet kanë theksuar se aktiviteti synon të dëshmojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe mbështetjen për familjet e personave të zhdukur në procesin e kërkimit dhe zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Vizita do të mbahet në lokacionin e varrit masiv në Kalludër, në komunën e Zubin Potokut.