Instituti “Octopus”: Projekti i BIA-s për (Lista)serbizimin e Kosovës – Linçimi si kërcënim i drejtpërdrejt ndaj Rashiqit

Instituti për studime të luftës hibride “Octopus” ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një operacion të drejtpërdrejtë ndikimi nga strukturat shtetërore të Serbisë në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë, duke vlerësuar se sulmet ndaj politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq, përbëjnë një formë të rrezikshme linçimi politik dhe presioni ndaj votuesve serbë.

Sipas analizës së publikuar nga instituti, një tekst i Relja Zhelskit, shef i Drejtorisë së Analizës në BIA, i botuar më 15 maj në revistën “Kompas” dhe i shpërndarë më pas nga mediat serbe si një “zbulim” i inteligjencës serbe për projektin e pretenduar të “çserbizimit” të Kosovës, shkon përtej propagandës tradicionale dhe synon identifikimin e “tradhtarëve” brenda komunitetit serb.

“Octopus” vlerëson se në qendër të këtij sulmi është vendosur Nenad Rashiq, lider i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i cili paraqitet si shembull për serbët që mund të mbështesin alternativa të tjera politike përveç Listës Serbe.

“Një tekst i Relja Zhelskit, shef i Drejtorisë së Analizës në BIA, i publikuar më 15 maj nga revista ‘Kompas’, u afishua nga mediat e tjera serbe si ‘zbulim’ i inteligjencës për projektin e ‘çserbizimit’ të Kosovës (Informer, 18.05.2026). Krahas narrativave të njohura manipuluese si ‘viktimizimi’, ‘agresioni i NATO-s’, ‘kuazi shteti anti-serb’, etj., zyrtari i lartë i BIA-s përdor linçimin dhe demonizimin e Nenad Rashiqit, udhëheqës i partisë ‘Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë’, si mesazh disiplinimi për të gjithë votuesit serbë në zgjedhjet e 7 qershorit”.

”Ky produkt, përveçse i pazakonshëm e joprofesional, shërbehet po ashtu me referenca emocionale e falsifikime historike, për ta rritur efektin si operacion ndikimi në mbrojtje të Listës Serbe. Kur një zyrtar i lartë i inteligjencës e identifikon ‘tradhtarin e brendshëm’, mesazhi receptohet në kornizat e autoritetit që përfaqëson dhe natyrshëm pritet të merret më seriozisht, duke e rritur efektin ‘disiplinues”’.

”Zhelski nuk e ka hallin e Rashiqit si politikan, por të humbjes së kontrollit mbi qytetarët serbë. Të njëjtin hall e ka edhe Vuçiqi me ndërhyrjet në zgjedhje duke bërë thirrje të hapur për ta votuar Listën Serbe. Sepse, edhe një mandat i vetëm jashtë këtij subjekti përfaqësues të politikës së Beogradit, e rrënon pretendimin e Serbisë për ‘projektin e çserbizimit’ të Kosovës, e rrënon narrativën e ‘terrorit’ të ‘kuazi-shtetit të krijuar nga agresioni perëndimor’. Prandaj, pamfleti i Zhelskit është operacion i ndërhyrjes për absolutizimin e kontrollit ndaj votuesve serbë”, thuhet në analizën e “Octopus”.

Sipas institutit, qëllimi kryesor nuk është sulmi ndaj Rashiqit si figurë politike, por ruajtja e kontrollit të Beogradit mbi votuesit serbë në Kosovë. Në analizë thuhet se çdo mandat i fituar jashtë Listës Serbe sfidon pretendimin e Serbisë se ajo përfaqëson në mënyrë ekskluzive komunitetin serb në Kosovë dhe dobëson narrativat që Beogradi promovon në arenën ndërkombëtare.

“Octopus” argumenton se Serbia ka ndërtuar prej vitesh një strategji të kontrollit politik mbi serbët e Kosovës, duke përdorur propagandën, presionin politik dhe etiketimin e kundërshtarëve si “tradhtarë”. Instituti e sheh tekstin e Zhelskit si pjesë të kësaj strategjie, duke theksuar se pesha e mesazhit rritet ndjeshëm kur ai artikulohet nga një zyrtar i lartë i inteligjencës.

Analiza ndalet edhe te rasti i politikanit serb të vrarë në vitin 2018, Oliver Ivanoviq, për të cilin thuhet se paraprakisht ishte objekt i një fushate intensive diskreditimi.

Sipas institutit, megjithëse nuk mund të vendoset lidhje e drejtpërdrejtë mes linçimit publik dhe vrasjes së tij, klima armiqësore e krijuar ndaj Ivanoviqit kontribuoi në izolimin dhe stigmatizimin e tij politik.

“Ai konsiderohej më i moderuar dhe ishte kritik ndaj strukturave dominuese serbe në veri, si dhe regjimit në Beograd. Mediat e propagandës dhe kundërshtarët politikë e cilësonin ‘tradhtar’, ‘njeri të Prishtinës’ ose figurë që cenonte interesat serbe në Kosovë. Vetëm pak ditë para vrasjes, ai vetë deklaroi se kishte frikë për sigurinë e tij”.

”Kjo nuk do të thotë se fushata linçuese ia organizoi vrasjen, por ajo ndërtoi klimën armiqësore që i kontriboi aktit final. Ai u vra më 16 janar 2018 para zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut, ndërsa rasti ka mbetur ende i pandriçuar plotësisht sa i përket organizatorëve dhe autorëve”, thuhet më tej në analizë”.

Në të njëjtën kohë, “Octopus” kritikon edhe trajtimin që Serbia i ka bërë rastit të Milan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, duke theksuar se ai vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.

“Përveç tij e terroristëve të tjerë, Serbia ‘strehon’ edhe shqiptarë me precedentë kriminalë. Por, derisa nuk i burgos apo nuk i ekstradon (siç bën zakonisht me shumë të tjerë), kjo lë hapësirë të dyshohet se ata mund të shfrytëzohen për interesa të caktuara të këtij vendi”.

”Rastet e linçimit ndërmjet Ivanoviqit dhe Rashiqit kanë vetëm një dallim: autori këtë herë ka vendosur të shfaqet publikisht. Kjo do të thotë se Zhelski, shefat e tij në BIA dhe patronët e tyre politikë, kanë vlerësuar se fushatat diskredituese përmes instrumenteve të propagandës nuk po e arrijnë efektin e plotë”.

Instituti vlerëson se dalja publike e një zyrtari të BIA-s në një fushatë të tillë tregon se mekanizmat e zakonshëm të propagandës nuk po arrijnë efektin e dëshiruar te votuesit serbë në Kosovë. Sipas tij, kjo dëshmon shqetësimin e Beogradit për mundësinë e humbjes së kontrollit absolut politik mbi komunitetin serb.

Në përfundim, “Octopus” nxjerr tri përfundime kryesore: Serbia nuk e lejon integrimin e plotë të serbëve në institucionet e Kosovës jashtë kontrollit të saj politik; Lista Serbe paraqitet si instrument politik i ndërtuar për të ruajtur ndikimin e Beogradit; dhe projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe” vazhdon të përdoret për promovimin e aspiratave hegjemoniste në rajon.

“Duke u bërë “zëdhënës” i nacionalizmit serb nga pozita e shefit të Analizës, Zhelski në fakt zbulon tri sekrete publike të politikës serbe kundër Kosovës:

– Serbia nuk e lejon integrimin e serbëve në Kosovë dhe asnjë zë opozitar që nuk dirigjohet nga Beograd;

– Lista Serbe u krijua nga shërbimet sekrete si proxy politik që deformon vullnetin dhe interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, dhe

– Serbia, përmes projektit nacionalist “Bota Serbe” do të vazhdojë t’i mbajë gjallë qëllimet hegjemoniste në rajon.

Në sfondin e protestave aktuale masive nga studentë e qytetarë që kërkojnë të ardhme më të mirë për vendin e kapluar nga korrupsioni, krimi i organizuar, varfëria, ikja e të rinjve, mungesa e lirisë së shprehjes, kontrolli mbi median, ndikimet e fuqive autokratike lindore, etj., kryeanalisti Zhelski shfaqet si një aparatçik i pushtetit serb, i cili rikthen fantazmat e regjimeve staliniste, maoiste e millosheviqjane, përmes diskreditimit të oponentëve të leviatanit politik në Kosovë me emrin “Lista Serbe””, thuhet ndër të tjera në analizën e institutit për studime të luftës hibride.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika