Të paktën 10 civilë janë vrarë dhe 38 të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe tre fëmijë, si pasojë e sulmeve të rënda ruse gjatë 24 orëve të fundit në Ukrainë.

Sipas agjencisë AP, Rusia ka lëshuar më shumë se 100 dronë gjatë natës në zona civile, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe frikë të përhapur në mesin e popullsisë.

Së fundmi, sulmet ajrore ruse janë intensifikuar ndjeshëm, teksa lufta ka hyrë në vitin e katërt. Vetëm gjatë javës së fundit, Rusia ka përdorur mbi 1,270 dronë sulmues, 39 raketa dhe gati 1,000 bomba të rënda kundër Ukrainës – shifra që janë bërë publike nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përveç sulmeve nga ajri, forcat ruse po përpiqen të avancojnë edhe në disa pjesë të vijës së frontit që shtrihet në rreth 1,000 kilometra.

Në mungesë të përparimit në bisedimet për paqe dhe përballë rrezikut të pushtimit të mëtejshëm, Ukraina po bën thirrje për më shumë ndihmë ushtarake nga SHBA-ja dhe vendet evropiane.