“Duhet ta themi troç se interesi i politikës, në këtë rast i partisë në pushtet, Qeverisë, është që ky rast të mos zbardhet. Kjo Qeveri ka vetëm një qëllim, që të kapë drejtësinë përmes këtij rasti dhe rasteve të tjera, prandaj ky rast nuk po zbardhet që nga viti 2019 qëkur VV-ja erdhi në pushtet dhe ka pushtetin absolut. Njëjtë pres të ndodhë siç ka ndodhur me rastet e vrasjes së pasluftës”, ka thënë Berisha duke vazhduar me akuza të rënda.

Kështu ka deklaruar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Berisha ka akuzuar partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje për moszbardhjen e rastit të vdekjes së aktivistit të ndjerë të LVV-së, Astrit Dehari. I njëjti tha se rasti Dehari është përdorur nga vetë LVV-ja për përfitime politike dhe se një gjë e tillë, sipas tij, është evidente.

Gjersa ka ndërlidhur rastin e vetëvrasjes së vëllait të Astrit Deharit, Berisha ka thënë se parakushti për zbardhjen e rastit është të zbardhet rasti terrorist në sulmet në Presidencë dhe objekt të Qeverisë, të cilat sipas Berishës, do të rëndonin vetë LVV-në.

“Parakushti i parë për t’u zbardhur vrasja e Astritit, është zbardhja e rastit terrorist në sulmet terroriste në Presidencë dhe objekt të Qeverisë. Por rastin mbi institucionet e Republikës së Kosovës nuk pres ta zbardhni, sepse tërmeti politik do të binte mbi subjektin tuaj dhe parakusht i dytë është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbënorit. Cilat ishin motivet që e shtyn në vetëvrasje? Për shkak të ndjeshmërisë, askush s’e ka marrë guximin të flasë publikisht, por tani është sekret publik që përfliten emra zyrtarësh me të cilët ka qenë i involvuar dhe në rolin e sinjalizuesit. Indikativë mbetet po ashtu edhe emërimi i rrugëve të Prishtinës me emrin vëllezërit Dehari e unë pyes se cili ishte roli i tyre? A bëhet për heshtjen e familjes duke tentuar t’i fusni në histori. Së fundmi, ndodhi edhe vjedhja e mostrave, dhe në vend që ministrja të marrë përgjegjësi që godet tavolinën, tani ajo filloi me akuzua prapë opozitën. Po ndihem keq që po duhet ta hap këtë çështje para bacës Avni, por e di se Astrit Dehari ishte kundër marrëveshjes të cilat sot ju i keni nënshkruar, ka thënë Berisha.

Fjala e deputetit Berisha u pengua nga deputetët e LVV-së me ç’rast, ishte Konjufca ai i cili kërkoi qetësi e njëherit, edhe sqarim nga Berisha.

Kryetari Konjufca tha se Berisha duhej të drejtohej në prokurori dhe se i njëjti, dinte që përpjekja për ta lidhur LVV-në ishte një montim politik.

“Edhe ju e dini fort mirë që përpjekja për ta lidhur LVV-në me atë sulm ka qenë një proces i montuar gjyqësor politik, me prapavijë politike”, ka thënë Konjufca, gjersa ka theksuar se “për këtë ka vendim gjykate që i ka liruar personat e dyshuar. Nëse dini diçka më shumë unë e kisha ftuar prokurorin të ju ftojë në intervistë”.

Deklaratave të Berishës iu përgjigj edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Juve jua kisha ndalu me ligj me fol për rastin e Astrit Deharit, sepse ju keni qenë në Qeveri kur është vrarë Astrit Dehari. Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka qenë në Qeveri. Prandaj, asnjë fjalë për Astrit Deharin! Asnjë zë! Si s’ju vjen marre?”, tha ministrja e Drejtësisë.

Astrit Dehari u gjet i vdekur në vitin 2016 në qelinë e burgut në Prizren.

I njëjti po mbahej i paraburgosur mbi dyshimet se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj, është larguar përfundimisht nga puna. Mirëpo, Buleshkaj nuk është i vetmi. Krahas tij, është shkarkuar edhe zyrtari korrektues, Destan Zogaj.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se Buleshkaj dhe Zogaj janë larguar përfundimisht nga detyra, dhe se ndaj të njëjtëve është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet dhe mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016. Përkatësisht, për vdekjen e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.

Berisha i PDK-së: Interesi i LVV-së është që rasti Dehari të mos zbardhet