Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, vazhdon të jetë në qendër të merkatos verore, teksa interesimi për të po shtohet ndjeshëm nga klube të mëdha evropiane.
Pasi u përfol për një transferim të mundshëm te FC Barcelona, të martën emri i tij u rikthye fuqishëm edhe në mediat turke. Sipas raportimeve, Fenerbahçe S.K. ka shprehur interes konkret për rikthimin e sulmuesit kosovar në Stamboll, madje duke arritur një marrëveshje paraprake me lojtarin. Megjithatë, mbetet ende për t’u arritur akordi mes klubit turk dhe RCD Mallorca.
Por, kjo marrëveshje nuk pritet të jetë e lehtë. Mediumi spanjoll “Ultima Hora”, pranë klubit ishullor, raporton se Mallorca ka vendosur një çmim minimal prej 30 milionë eurosh për kartonin e “Piratit”.
Një tjetër sinjal për një lëvizje të mundshme në merkato është edhe prania e agjentit të tij, Utku Cenikli, në stadiumin “Son Moix” gjatë ndeshjes së Mallorcas ndaj Valencias. Vizita e tij vjen në një moment kur interesimi për Muriqin është në rritje, me disa klube të mëdha që po monitorojnë situatën e tij.
Sipas “Ultima Hora”, kjo vizitë nuk duket rastësore, pasi përkon me raportimet që e lidhin sulmuesin me ekipe elitare, përfshirë Barcelonën, e cila ka shprehur interes për transferimin e tij.
Ndërkohë, Muriqi po kalon një sezon të jashtëzakonshëm në La Liga, ku ka realizuar 21 gola, duke hyrë në histori të klubit dhe duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer.