Qasja në internet në Iran ka filluar të rikthehet pasi ishte ndërprerë pothuajse tre muaj më parë, ka deklaruar zëvendëspresidenti i parë i vendit.
“Hapi i parë drejt qasjes së lirë dhe të rregulluar në hapësirën kibernetike është ndërmarrë,” shkroi Mohammad Reza Aref në platformën X të martën.
Organizatat që monitorojnë internetin, Netblocks dhe Kentik, raportuan një rikthim “të pjesshëm” rreth orës 13:00 sipas, megjithëse Kentik paralajmëroi se shumica e rrjeteve ende ishin jashtë funksionit, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Qeveria iraniane kishte ndërprerë qasjen në internet pas fillimit të sulmeve amerikane dhe izraelite më 28 shkurt. Zyrtarët thanë se masa ishte marrë për të parandaluar mbikëqyrjen, spiunazhin dhe sulmet kibernetike.
Kjo është një nga ndërprerjet më të gjata kombëtare të internetit të regjistruara ndonjëherë në botë.
Një krijues përmbajtjesh nga Teherani i tha BBC-së se kishte arritur të lidhej me internetin përmes WiFi-it të shtëpisë të martën.
“Pika kryesore është se një pjesë e të ardhurave të mia do të rikthehen,” tha ai.
Netblocks tha se nuk është e qartë nëse rikthimi i internetit do të jetë i qëndrueshëm dhe theksoi se situata është e ngjashme me rastet e mëparshme kur kufizimet janë hequr gradualisht.
“Qasja nuk është rikthyer plotësisht në gjendjen e saj origjinale, me ndryshime rajonale,” tha drejtoresha e kërkimeve të Netblocks, Isik Mater.
Ajo shtoi se ka shenja të “filtrimit më të gjerë” krahasuar me periudhat para janarit, kur ishte vendosur një tjetër ndërprerje gjatë protestave antiqeveritare, përfshirë kufizime shtesë në aplikacionet e mesazheve si WhatsApp.
“Kjo do të thotë se familjet mund të vazhdojnë të kenë vështirësi në kontaktimin e të afërmve,” tha ajo.
Mater shtoi: “Historikisht, çdo herë që interneti është rikthyer pas një ndërprerjeje në Iran, ai është shoqëruar me kufizime më të forta dhe kontroll më të rreptë.”