Intervistë me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi – Cilat janë planet e tij për Podujevën gjatë vitit 2023?
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka folur për planet që i ka për vitin 2023 dhe për arritjet e ngecjet e kësaj komune në vitin që lamë pas (2022). Bulliqi ka thënë se Komuna e Podujevës ka pasur një bashkëpunimi të shkëlqyer me ministritë e linjës së […]
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka folur për planet që i ka për vitin 2023 dhe për arritjet e ngecjet e kësaj komune në vitin që lamë pas (2022).
Bulliqi ka thënë se Komuna e Podujevës ka pasur një bashkëpunimi të shkëlqyer me ministritë e linjës së Qeverisë Kurti.
Më tej, Bulliqi ka theksuar se pas shumë ngecjeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë, si pasojë e shpronësimit, tani ky projekt ka marrë kahjen e duhur.

“Viti 2023 do të jetë viti i ndërtimit të Zonës Industriale, pra komuna do të krijojë një hapësirë të përbashkët për zhvillimin e veprimtarive biznesore, ku përmes ndërtimit të zonës, presim që të shtohen investitorët vendorë dhe të huaj”, ka deklaruar Bulliqi.
Ndërkohë, ai ka thënë se përveç ndërtimit të infrastrukturës rrugore dhe ndërtimit të shkollave, për të e rëndësishëm ka qenë edhe bujqësia, e cila do të jetë prioritet edhe në vitin 2023.

Intërvsitën e plotë me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin, mund ta lexoni më poshtë.
Dukagjini: Cilat janë pikat e juaja më të forta të qeverisjes me Podujevën, gjatë vitit 2022, dhe ato ku keni pasur ngecje në realizim, dhe pse kanë ndodhur ato?
Bulliqi: Gjatë këtij viti kemi filluar realizimin e projekteve të mëdha si ndërtimi i Stacionit të Autobusëve, ndërtimi i Urgjencës së Qytetit, ndërtimi i rrugës “Skënderbeu”, përgatitja e të gjitha dokumentacioneve për ndërtimin e Zonës Industriale, kemi miratuar në Kuvend themelimin e një ndërmarrjeje publike lokale, ka filluar ndërtimi i dy objekteve shkollore në Obrançë dhe Llugë. Ngecje në realizimin e disa projekteve na janë shkaktuar nga rritja e çmimeve, dhe projektet që kanë pasur vështirësi të realizohen janë në infrastrukturën rrugore.
Dukagjini: Çka mund të presim më shumë nga Kryetari Bulliqi për vitin 2023, krahasuar me vitin që lam pas?
Bulliqi: Viti 2023, sipas planifikimeve tona, do të jetë viti i realizimit të projekteve të mëdha, përveç projekteve që përmenda më lart, planifikojmë të ndërtojmë Qendrën multifunksionale projekt në vlerë 1.1 milionë euro në bashkëfinancim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do ta ndërtojmë edhe Pishinën Gjysmolimpike, Qendrën Rezidenciale për persona të moshuar, ndërtimi i rrugës “Xhemajl Mustafa”, ndërtimi i shkollës së mesme ekonomike, etj.
Dukagjini: Sa është e përkrahur Komuna e Podujevës nga Qeveria, në cilat sektore është përkrahur më shumë, dhe në cilat po neglizhohen ose ka ngecje, dhe nëse ka ndodhur kjo, cilat kanë qenë kryesisht ata faktorë?
Bulliqi: Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Ministritë e linjës dhe shumica e projekteve të mëdha janë në bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës. Një prej projekteve që ka pasur ngecje më tepër e që është projekt i Qeverisë, është ndërtimi i magjistrales Podujevë-Prishtinë, megjithatë edhe ky projekt po duket se po merr drejtimin e duhur, pasi janë eliminuar problemet që kanë qenë në zbatimin e këtij projekti, dhe shpallja e të gjitha lloteve të rrugës është lajm i mirë sepse po besojmë që tashmë dinamika e punimeve do të jetë intensive.
Dukagjini: Cilat janë sfidat që ju presin në vitin 2023?
Bulliqi: Realizimi i këtyre projekteve të mëdha do të jetë mjaft sfidues, por me punë të përbashkët ekipore dhe me vullnet të plotë, besoj se do t’ia dalim t’i realizojmë një nga një.
Dukagjini: Një komunë e cila ka kapacitete njerëzore dhe territoriale si Podujeva, por që investimet gjithnjë kanë ikur në drejtim të Prishtinës, Fushë-Kosovës e Drenasit, çfarë jeni duke punuar në kthimin e investitorëve vendas në Llap, cilët janë hapat e ndërmarrë nga qeverisja e juaj?
Bulliqi: Viti 2023 do të jetë viti i ndërtimit të Zonës Industriale, pra komuna do të krijojë një hapësirë të përbashkët për zhvillimin e veprimtarive biznesore, ku përmes ndërtimit të zonës, presim që të shtohen investitorët vendorë dhe të huaj.

Dukagjini: Llapi me një tokë mjaft bujqësore, çfarë keni ndërmarrë në përkrahjen e bujqve dhe fermerëve llapjan, cilat janë subvencionet dhe përkahjet e komunës për ta?
Bulliqi: Gjatë vitit që po e lëmë pas, kemi ndihmuar fermerët tanë në kultura të ndryshme bujqësore, po ashtu kemi furnizuar bujqit e vyer llapjanë me pajisje të ndryshme pune, ku shuma totale e mbështetjes ka qenë 470 mijë euro. Ndërsa për vitin e ardhshëm, planifikojmë mbështetje në sektorin e bujqësisë mbi 700 mijë euro, kjo flet edhe për orientimin tonë për këtë sektor dhe rëndësinë që ka kjo fushë në qeverisjen tonë.
Dukagjini: Çfarë po ndodh realisht me magjistralen Podujevë-Prishtinë, ani pse kjo është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, kur pritet të përfundojë kjo rrugë?
Bulliqi: Përfundimi i elaboratit të shpronësimeve në këtë magjistrale, hartimi i projektit dhe shpallja e të gjitha lloteve për ndërtimin e rrugës, do t’i japë kahje dhe dinamikë realizimit të këtij projekti.















