Intervistimi i Pecit, Abdixhiku: Piskamat që mbrojnë hajninë do të humbasin vlerën
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është liruar në procedurë të rregullt pas një intervistimi gati pesë orësh nga Njësia e Veçantë e Hetimeve në Prokurorinë Speciale. Intervistimi i tij u zhvillua në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me kontratën për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e nënprodukteve shtazore, me një vlerë prej […]
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është liruar në procedurë të rregullt pas një intervistimi gati pesë orësh nga Njësia e Veçantë e Hetimeve në Prokurorinë Speciale. Intervistimi i tij u zhvillua në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me kontratën për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e nënprodukteve shtazore, me një vlerë prej rreth 60 milionë eurosh.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përmes një postimi në Facebook ka shprehur shpresën se në Kosovë po lind një epokë e re drejtësisë.
Abdixhiku ka thënë se do të vijë dita kur edhe hajnitë e pushtetarëve do të trajtohen me guxim dhe integritet nga prokurorë të rinj.
“Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni.
Edhe atë të pushtetarëve.
Sidomos atë të pushtetarëve.
Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë.
Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.















