Investimet në teknologjinë evropiane arrijnë në 15.8 miliardë euro në shtator

Kompanitë teknologjike në Evropë siguruan 15.8 miliardë euro përmes 300 marrëveshjeve të financimit gjatë shtatorit, duke e çuar totalin e investimeve për vitin 2026 në afro 60 miliardë euro, sipas të dhënave të platformës tech.eu, të raportuara nga Euronews.

Shifra shënon një rritje të ndjeshme krahasuar me gushtin, kur u siguruan 3.2 miliardë euro në 165 marrëveshje. Financimi i shtatorit përbën më shumë se një të katërtën e shumës së mbledhur gjatë vitit deri më tani.

Mbretëria e Bashkuar kryesoi me 7.3 miliardë euro të siguruara në mbi 65 transaksione, ose rreth 46 për qind të totalit të muajit. Pas saj u renditën Franca me 3.478 miliardë euro, Gjermania me 1.155 miliardë dhe Holanda me 1.119 miliardë euro.

Në dhjetëshen e vendeve me më shumë financim hynë edhe Spanja, Portugalia, Suedia, Italia, Bullgaria dhe Finlanda.

Inteligjenca artificiale dhe cloud-i tërheqin pjesën më të madhe të fondeve

Shërbimet cloud dhe inteligjenca artificiale dominuan investimet sipas sektorëve. Cloud-i siguroi 5.541 miliardë euro në 44 marrëveshje, ndërsa kompanitë e inteligjencës artificiale tërhoqën 4.194 miliardë euro.

Marrëveshja më e madhe e muajit ishte ajo e kompanisë franceze Mistral, e cila mblodhi 3 miliardë euro në një raund financimi të serisë D. Pas këtij financimi, vlerësimi i kompanisë tejkaloi 21 miliardë euro.

Në total, 25 kompani siguruan më shumë se 100 milionë euro secila, ndërsa për 34 marrëveshje nuk u publikua vlera e financimit.

Investime të konsiderueshme tërhoqën edhe teknologjia financiare, me 847.7 milionë euro, teknologjia shëndetësore me 826.3 milionë dhe sektori hapësinor me 725.8 milionë euro. Mes sektorëve kryesorë ishin gjithashtu robotika, softueri, siguria, telekomunikacioni dhe teknologjitë e avancuara.

Banka franceze e investimeve publike Bpifrance ishte pjesëmarrësja më aktive, me tetë marrëveshje. Pas saj u rendit High-Tech Gründerfonds me shtatë, ndërsa Vento dhe Innovate UK morën pjesë në nga gjashtë marrëveshje.

Evropa synon forcimin e pavarësisë teknologjike

Rritja e financimit vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po përpiqet të zhvillojë kapacitetet e veta teknologjike dhe të zvogëlojë varësinë nga kompanitë e mëdha amerikane.

Ndër instrumentet e financimit është një nismë publike-private prej 10 miliardë eurosh për ndërtimin e shtatë gjigafabrikave të inteligjencës artificiale. Ajo synon të mobilizojë edhe 20 miliardë euro investime private për zhvillimin e modeleve të mëdha të IA-së.

Ndërkohë, programi TechEU i Bankës Evropiane të Investimeve parashikon 70 miliardë euro financim përmes borxhit dhe kapitalit, me synimin për të mobilizuar 250 miliardë euro deri në vitin 2027 dhe për të mbështetur rritjen e startup-eve evropiane.

Mbështetja përfshin edhe Programin e Evropës Digjitale, me 8.1 miliardë euro për superkompjuterizimin, sigurinë kibernetike, aftësitë digjitale dhe gjysmëpërçuesit. Fondi Scaleup Europe, me vlerë 5 miliardë euro dhe i menaxhuar nga EQT, synon investime në inteligjencën artificiale, informatikën kuantike, teknologjinë e pastër dhe bioteknologjinë.

Shija e redaktorit

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Të fundit nga rubrika