Pjesëmarrja në mbledhjen të përbashkët të katër komunave veriore të Kosovës, u ka kushtuar këtyre zyrtarëve policor me nisje të hetimeve ndaj tyre.
Inspektorati Policor i Kosovës e ka konfirmuar këtë informacion për Radio Televizionin Dukagjini.
“IPK ju konfirmon se lidhur me këtë rast është në proces të grumbullimit të informacioneve në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, thuhet nw pwrgjigjen e tyre.
Ndryshe, nga IPK-ja, Televizionit nuk i janë përgjigjur gjatë ditës Policia e Kosovës, për të treguar nëse do të ndërmarrin ndonjë masë.
Dukagjini ka mësuar se shumica nga zyrtarët policor që po shihen në këto pamje, janë figura të larta të Policisë në veriun e Kosovës.
Ndër ta është komandanti i Policisë në Zubin Potok, drejtori rajonal Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, e shefi i Operativës Rajonale në Mitrovicë të Veriut, Aleksandër Filipoviq.
Menaxhmenti i Policisë, sipas ish-drejtorit të këtij institucioni, Rashit Qalaj tashmë do të duhej t’i ndërmerrte disa veprime.
“Unë mendoj se drejtori i Policisë është dashur që t’i suspendojë, ende pa mbërri ata në zyret e tyre, t’ua lëshoj vendimin për suspendim. Pastaj, të hetohen nga hetimet e brendshme në kuadër të Policisë së Kosovës”, ka thwnw Qalaj.
Qalaj thekson se takimi i së mërkurës, ishte kërcënim për Kosovën.
“Kjo është në frymën e kërcënimeve që i pati bërë para disa ditësh Presidenti i Serbisë, shtetit të Kosovës, qeverisë së Kosovës, që serbët e Kosovës do t’i lëshojnë institucionet. Dhe unë mendoj është një gabim i madh që këta policë, apo eprorë të Policisë kanë marrë pjesë në atë takim dhe kjo është e ndaluar, po e përsëris për shkak të temës që është shtjelluar”, ka vijuar ai.
Se këta zyrtarë policor shkelën Ligjin për Policinë, e thekson edhe ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani.
“Mendoj se pjesëmarrja në këtë forum nuk i përket këtyre rregullave të Policisë së Kosovës, të Ligjit mbi Policinë dhe të rregulloreve të brendshme. Aq më tepër, unë kam dëgjuar edhe deklaratën e kryetarëve të Komunave të veriut të Kosovës, të cilët në një lloj kuptimi, në prezencën e Policisë, janë kërcënu për institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, se nuk do të marrin pjesë ose do të largohen nga to”, ka theksuar Shishani.
Neni 49 i Ligjit për Policinë ua ndalon të gjithë zyrtarëve policor që të marrin pjesë në aktivitete politike.
Megjithatë, sipas ekspertit të sigurisë, Fadil Kajtazi, institucionet duhet të kenë kujdes me trajtimin e këtij rasti.
“Veprimet në pjesën veriore nuk janë vetëm veprime organeve shtetërore të Kosovës, janë edhe veprime të cilat kanë impakt edhe në politikën e jashtme të Kosovës dhe për këtë arsye duhet të koordinohen edhe me dikë tjetër, para së gjithash me KFOR-in dhe bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Kajtazi.
Kjo nuk ishte hera e parë që zyrtarë serb të Policisë së Kosovës marrin pjesë në takime ku flitet për çështje që cenojnë rendin juridik e të sigurisë në vend.
Madje, disa komandantë të veriut, kishin marrë pjesë edhe në një prej mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë në Beograd.