IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Kaçanik për neglizhencë në arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të stacionit policor në Kaçanik, pas dyshimeve për neglizhencë serioze në zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit të dyshuar R. B, i cili lidhet me rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika. Sipas […]
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të stacionit policor në Kaçanik, pas dyshimeve për neglizhencë serioze në zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit të dyshuar R. B, i cili lidhet me rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.
Sipas IPK-së, hetimet paraprake të ndërmarra kanë nxjerrë dyshime të arsyeshme se dy zyrtarët kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre zyrtare. Njëri prej tyre, një toger në pozitën e shefit të sektorit të operativës, dyshohet se ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por nuk ka ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit.
Ndërkohë, zyrtari tjetër, një rreshter i angazhuar si mbikëqyrës në njësinë ndërlidhëse për gjykata, dyshohet se ka dështuar të raportojë në kohë dhe me saktësi për urdhëresën dhe gjithashtu nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj.
“Hetuesit e IPK-së, bazuar në kompetencat ligjore sipas detyrës zyrtare ka filluar të ndërmarrë veprime hetimore paraprake lidhur me veprimet policore për zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit R. B ((i dyshuar lidhur me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika).
Nga veprimet paraprake hetimore të ndërmarra dhe komunikimet zyrtare të pranuara, ekziston dyshimi i arsyeshëm se deri në këtë fazë të hetimit, dy zyrtarë policorë kanë dështuar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe kanë treguar neglizhencë serioze në zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit të dyshuar R. B. Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja ekziston dyshimi se një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar.
Gjithashtu, bazuar në veprimet hetimore dyshohet se një rreshter policor i angazhuar në cilësinë e mbikëqyrësit në njësinë ndërlidhëse për gjykata, ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj. Që të dy zyrtarët policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre kanë qenë të angazhuar me detyrë në stacionin policor të Kaçanikut. IPK vlerëson se dështimi i tyre në zbatimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, cenon besueshmërinë institucionale dhe përbën bazë për procedim disiplinor dhe hetim të mëtejmë administrativ dhe penal”, thuhet në njoftim.















