Irani ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një “shkelje flagrante” të armëpushimit me sulmet e reja ajrore të ndërmarra ndaj vendit gjatë 48 orëve të fundit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se objektiva të raketave iraniane dhe mjete lundruese që po përpiqeshin të vendosnin mina detare u goditën në atë që e quajti “sulme vetëmbrojtëse” në jug të Iranit të hënën, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se e konsideron SHBA-në përgjegjëse për pasojat e “veprimeve agresive dhe të pajustifikuara” në rajonin Hormozgan, i cili shtrihet përgjatë Ngushticës së Hormuzit – rrugë ujore jetike që Irani ka bllokuar, duke shkaktuar rritje të çmimeve botërore të energjisë.
Ende nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të kenë sulmet në bisedimet që synojnë përfundimin e konfliktit.
“Pa asnjë dyshim, Republika Islamike e Iranit nuk do të lërë pa përgjigje asnjë veprim armiqësor dhe nuk do të hezitojë të mbrojë kombin iranian,” thuhet në deklaratën iraniane.
Megjithatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se një marrëveshje nga negociatat është ende e mundur, por se “do të duhen disa ditë”.
Një nga pengesat kryesore në negociata lidhet me kërkesën e Teheranit për lirimin e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Bisedimet janë ndërmjetësuar kryesisht nga Pakistani.
Megjithatë, negociatorët iranianë këtë javë kanë zhvilluar takime edhe në Katar.
Një zyrtar i informuar mbi vizitën në Doha i tha agjencisë Reuters se guvernatori i bankës qendrore iraniane mori pjesë në bisedimet e së hënës për të diskutuar çështjen e aseteve të ngrira, ndërsa diskutimet u përqendruan kryesisht te rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe Ngushtica e Hormuzit.
Irani ka bllokuar në mënyrë efektive këtë rrugë të rëndësishme detare, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës botërore, që prej nisjes së konfliktit nga SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt.
SHBA-ja, Izraeli dhe shumë vende perëndimore e akuzojnë Iranin se po pasuron uranium për të prodhuar armë bërthamore. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.