Irani dhe Izraeli kanë njoftuar se kanë ndalur sulmet ndaj njëri-tjetrit, pas shkëmbimit të zjarrit të parë që nga armëpushimi i arritur në prill.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se Izraeli “për momentin” po ndalon sulmet, por theksoi se lufta kundër Iranit dhe Hezbollahut në Liban “nuk ka përfunduar”.
Nga ana tjetër, ushtria iraniane deklaroi se ka ndërprerë operacionet ushtarake pasi i dha Izraelit një “përgjigje të dhimbshme”. Teherani paralajmëroi se do të ndërmarrë masa “më të ashpra dhe shkatërruese” nëse Izraeli kryen sulme të reja, përfshirë në Liban.
Tensionet u rritën pasi Irani lëshoi raketa drejt Izraelit të dielën në përgjigje të një sulmi izraelit në Bejrut. Izraeli reagoi në orët e para të së hënës duke goditur, sipas tij, objektiva ushtarake në Iran.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ishte në kontakt me Netanyahun dhe mohoi se kryeministri izraelit kishte shpërfillur kërkesat e tij.
“Jo, jo. Ata tashmë kishin nisur operacionin. Ishin në rrugë e sipër,” tha Trump në një intervistë për BBC.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Trump dhe Netanyahu kanë zhvilluar një bisedë telefonike për krizën, ndërsa një zyrtar izraelit tha se Izraeli i ndali sulmet me kërkesë të presidentit amerikan.
Trump tha se i kishte kërkuar Netanyahut të përdorte “arsyen”, duke shtuar se SHBA-ja është shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me Iranin.
“Jemi shumë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje shumë të fuqishme dhe shumë të mirë. Pa armë bërthamore. Duhet të përdorim logjikën,” u shpreh ai.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se i kishte bërë të qartë Netanyahut se Izraeli mund të mbetej i vetëm nëse do të rikthehej në luftë me Iranin.
Në një zhvillim tjetër, Trump tha se ekuipazhi i një helikopteri ushtarak amerikan që u rrëzua në Ngushticën e Hormuzit është shpëtuar dhe nuk ka të lënduar.
Ai nuk dha detaje për shkaqet e incidentit, por tha se Shtëpia e Bardhë do të japë më shumë informacione më vonë.