Irani i mbyll kufijtë me Afganistanin dhe Pakistanin, pas shpërthimeve

Irani ka njoftuar mbylljen e kufijve me Afganistanin dhe Pakistanin për të rritur sigurinë, pas dy shpërthimeve që rezultuan në vdekjen e rreth 100 personave në qytetin juglindor Kerman më 3 janar

Rojet kufitare të Iranit duke qëndruar në kufirin e vendit të tyre me Afganistanin.

Irani njoftoi të premten se po i mbyll kufijtë e vet me dy vendet fqinje, Afganistanin dhe Pakistanin, për ta rritur sigurinë, pasi shpërthimi i dy bombave i vrau afro 100 njerëz në qytetin juglindor, Kerman, më 3 janar.

Agjencia iraniane ISNA e citoi ministrin e Brendshëm të Iranit, Ahmad Vahidi, duke thënë se Qeveria iraniane i ka tani prioritet pikëkalimet kufitare përgjatë kufijve me Afganistanin dhe Pakistanin, të cilat kanë një shtrirje prej gati 1.000 kilometrave.

Së paku 89 njerëz u vranë nga këto shpërthimet gjatë shënimit të përvjetorit të ish-komandantit iranian, gjeneralit Qassem Soleimani, i cili ishte vrarë para katër vjetëve nga një sulm ajror amerikan.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Shteti Islamik, i cili tha se dy prej anëtarëve të tij i aktivizuan jelekët e mbushur me eksplozivë në tubimin ku po shënohej përvjetori i vrasjes së Qasem Soleimanit në qytetin juglindor të Iranit.

Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahidi, tha të premten më herët për televizionin shtetëror se disa të dyshuar janë arrestuar.

“Agjencitë e afta të inteligjencës së vendit tonë kanë gjetur pista shumë të mira në lidhje me elementet e përfshira në shpërthimet terroriste në Kerman, dhe një pjesë e atyre që patën gisht në këtë incident janë arrestuar”, tha ai, pa shpjeguar.

Qeveria e Afganistanit, e udhëhequr nga talibanët, dhe Ministria e Jashtme e Pakistanit, nuk kanë reaguar ende ndaj njoftimit për mbylljen e kufijve. Të dyja vendet e dënuan sulmin e 3 janarit.

Në të kaluarën, Teherani i ka akuzuar këto dy vende për lejimin e emigrimit të jashtëligjshëm, dhe nganjëherë lejimin e terroristëve të kalojnë kufirin dhe ta dëmtojnë sigurinë kombëtare të Iranit, shkruan REL.

Në Afganistan, talibanët po e luftojnë Shtetin Islamik-Khorasan (IS-K), i cili është degë lokale e Shtetit Islamik, prej se u themelua më 2015.

Irani dhe fqinjët e Afganistanit nga Azia Qendrore, si dhe Rusia, i cilësojnë Shtetin Islamik dhe IS-K si kërcënim të madh ndaj sigurisë.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika