Irani i ka propozuar Shteteve të Bashkuara një marrëveshje që do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda shtatë ditësh, nëse plotësohen kushtet e kërkuara nga Teherani.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha për gazetarët në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York se propozimi i është përcjellë SHBA-së përmes Katarit.
“Zgjedhja tani i takon Shteteve të Bashkuara”, tha Araghchi, duke shtuar se kushtet për rihapjen e ngushticës janë të përfshira në memorandumin e mirëkuptimit (MOU) të nënshkruar në qershor.
“Nëse plotësohen kushtet e nevojshme, ngushtica mund të rihapet dhe qarkullimi normal detar mund të rikthehet brenda shtatë ditësh”, tha ai.
Araghchi nuk specifikoi se cilat hapa duhet të ndërmarrë SHBA-ja, por tha se ato janë të përcaktuara tashmë në memorandumin e mirëkuptimit.
“Nëse ka seriozitet nga pala amerikane për të arritur një marrëveshje dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, gjithçka është tashmë e përgatitur”, shtoi ai.
Një zyrtar amerikan i tha BBC-së se po zhvillohen diskutime pozitive përmes ndërmjetësve, përfshirë edhe çështjet që lidhen me programin bërthamor të Iranit.
Megjithatë, SHBA-ja ende nuk i ka dhënë përgjigje zyrtare propozimit iranian. “Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë amerikanë, raportoi se presidenti amerikan Donald Trump e kishte refuzuar marrëveshjen. Sipas gazetës, Trump dyshon se Irani do t’i përmbushë kërkesat e tij dhe u ka thënë bashkëpunëtorëve se një fushatë e re bombardimesh është e mundshme.
Një zyrtar amerikan tha gjithashtu për BBC-në se SHBA-ja është “në një pozicion shumë të fortë” për shkak të kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit dhe se “nuk është me nxitim”.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha në një intervistë për CBS News se procesi i armëpushimit do të niste “që nga dita kur ata ta pranojnë” marrëveshjen, raporton BBC.
“Ne kishim arritur më parë një marrëveshje bazuar në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në Pakistan. Nëse Shtetet e Bashkuara bien dakord të vazhdojnë në atë mënyrë, gjithçka do të kthehet në gjendjen që ishte më parë”, tha Pezeshkian.
Ai tha gjithashtu se Irani do të lejonte kthimin e inspektorëve bërthamorë të Kombeve të Bashkuara në vend.
Pezeshkian hodhi poshtë pretendimet se Irani po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, duke thënë se Teherani është i gatshëm të negociojë për inspektimet.
“Nëse ata dëshirojnë të vijnë dhe të kryejnë inspektime, mund të arrijmë marrëveshje dhe dakordime për këtë çështje gjatë negociatave”, tha ai.
Ngushtica e Hormuzit është një prej rrugëve kryesore të transportit të energjisë në botë. Para luftës, përmes saj kalonte rreth 20 për qind e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm të konsumuar në botë. Mbyllja e saj ka shkaktuar luhatje të mëdha të çmimeve të energjisë dhe ka shtuar presionin mbi administratën amerikane për t’i dhënë fund konfliktit.