Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka thënë se Teherani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një plan për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke përfshirë kushtet për të cilat dy vendet ishin pajtuar në një memorandum mirëkuptimi të arritur në qershor.
Araqchi tha më 24 shtator, gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, se propozimi i është dorëzuar SHBA-së përmes ndërmjetësve.
“Ne i kemi paraqitur një plan SHBA-së përmes ndërmjetësve, sipas të cilit, nëse plotësohen disa kushte, Ngushtica e Hormuzit do të hapet në fund të ditës së shtatë dhe bisedimet do të rifillojnë”, tha ai.
Araqchi nuk dha detaje të tjera rreth kushteve të përfshira në plan.
Ndërkohë, CNN, duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, raportoi se SHBA-ja dhe Irani po zhvillojnë “diskutime pozitive dhe konstruktive përmes ndërmjetësve”.
Megjithatë, dy vendet duket se vazhdojnë të jenë larg një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së tyre gati shtatëmujore, pavarësisht përpjekjeve të reja diplomatike.
Më 23 shtator, SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedimet e para indirekte pas disa muajsh, por deri tani nuk është bërë e ditur për ndonjë koncesion të ri nga palët.
Gjatë fjalimeve të tyre në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masud Pezeshkian shkëmbyen deklarata të ashpra.
Trump kërcënoi se do ta “asgjësonte” Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje, ndërsa Pezeshkiani deklaroi se Irani nuk do të “nënshtrohet” nën presion.
Pavarësisht retorikës së ashpër, të dy udhëheqësit kanë deklaruar se mbeten të hapur për negociata.
Më 17 qershor, Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi 60-ditor, i cili synonte t’i jepte fund armiqësive dhe të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, mosmarrëveshjet mes palëve rreth interpretimit të kushteve të memorandumit kanë çuar në sulme të reja nga të dyja palët.