Irani ka vendosur kushte të reja për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke kërkuar që anijet tregtare të lëvizin vetëm nëpër rrugë të përcaktuara dhe me lejen e Gardës Revolucionare Islamike.
Më herët gjatë ditës së sotme, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se “kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit është shpallur plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit”, në një postim në platformën X, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Tani, televizioni shtetëror iranian ka cituar një “zyrtar të lartë ushtarak”, i cili ka thënë se kalimi i këtyre anijeve do të bëhet përmes një “rruge të përcaktuar” dhe me lejen e Marinës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Sa i përket kësaj rruge të përcaktuar, zyrtari i ka thënë televizionit shtetëror se ajo është vendosur nga Organizata e Porteve dhe Detarisë e Iranit.
Sipas televizionit shtetëror iranian, duke cituar të njëjtin zyrtar ushtarak, kalimi i anijeve ushtarake nëpër Ngushticën e Hormuzit do të mbetet “i ndaluar”.