Një anëtar i komitetit parlamentar të sigurisë së Iranit, Esmail Kosari, tha se Irani po shqyrton seriozisht mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Ngushtica e Hormuzit është një nga kalimet detare më të rëndësishme në botë, përmes të cilës kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë çdo ditë, që përbën afërsisht 20% të konsumit global të naftës.

Gjithashtu, rreth 20% e tregtisë botërore të gazit natyror të lëngshëm (LNG) kalon përmes kësaj ngushtice, shkruajnë mediat e huaja.

Bëhet e ditur se mbyllja e saj do të kishte pasoja të rëndësishme për tregun global të energjisë, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit dhe potencialisht duke shkaktuar presion inflacionist në ekonomitë botërore.

Por, veprimet e fundit ushtarake izraelite kundër objektivave iraniane kanë rritur më tej tensionet në rajon, duke ngritur shqetësime midis kompanive të transportit detar dhe tregtarëve të energjisë.

Disa transportues tashmë po e shmangin ngushticën dhe çmimet e naftës janë rritur nga frika e ndërprerjeve të mundshme të furnizimit.

Megjithatë, çdo përpjekje për të mbyllur ngushticën ka të ngjarë të provokojë një reagim të ashpër ndërkombëtar, duke përfshirë ndërhyrjen e mundshme ushtarake për të siguruar lirinë e lundrimit. /Telegrafi