Irani ka kërcënuar se do të bllokojë rrugë të tjera tregtare në rajon, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë nisur një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake
Ky paralajmërim erdhi në kohën kur Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se të mërkurën në mëngjes kishte kryer sulme me dronë, avionë dhe forca detare kundër objektivave në Iran, përveç një operacioni shtatëorësh të zhvilluar gjatë natës.
“Objektivat energjetike do t’i lë për në fund, por në fund të fundit do t’i godasim edhe ato”, tha Trump në një intervistë për emisionin “Special Report with Bret Baier”, të transmetuar të martën në mbrëmje, raporton BBC.
Përshkallëzimi i retorikës vjen pasi Trump njoftoi se tarifa prej 20% që kishte kërcënuar të vendoste për transportin detar në Ngushticën e Hormuzit do të zëvendësohej me marrëveshje “masive” tregtare dhe investimesh me shtetet e Gjirit.
Të martën në mbrëmje, SHBA-ja rivendosi bllokadën ndaj porteve iraniane, duke ndaluar lëvizjen e anijeve drejt dhe nga portet dhe zonat bregdetare të Iranit.
Në reagim, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) paralajmëroi SHBA-në se duhet të “presë mbylljen e rrugëve të tjera të eksportit të naftës dhe gazit që u shërbejnë interesave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre”. Megjithatë, nuk u dha detaje se cilat rrugë mund të preken.
Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian raportoi se ushtria e vendit kishte kryer sulme të ndara ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrejn.
Edhe aleatët e SHBA-së njoftuan se kanë interceptuar dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani.