Irani kufizon kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, fajëson SHBA për “shkelje besimi”

Irani ka njoftuar rikthimin e kufizimeve për kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për “shkelje të përsëritura të besimit” në kuadër të armëpushimit mes palëve.

Të premten, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi në platformën X se ngushtica ishte e hapur për qarkullim. Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, mediat shtetërore iraniane konfirmuan se kalimi i anijeve është nën “mbikëqyrje të plotë të forcave të armatosura iraniane”, duke shtuar se çdo lëvizje konsiderohet e pavlefshme nëse vazhdon bllokada detare e pretenduar.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se bllokada detare ndaj porteve iraniane do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje të plotë me Teheranin.

Ende mbetet e paqartë se kur dhe ku mund të zhvillohet raundi i ardhshëm i bisedimeve, pas dështimit të takimit të parë në Islamabad fundjavën e kaluar.

Një zëdhënës i ushtrisë iraniane tha se autoritetet kanë lejuar kalimin e një numri të kufizuar cisternash nafte dhe anijesh tregtare përmes ngushticës.

“Fatkeqësisht, amerikanët, me shkeljet e tyre të përsëritura të besimit, vazhdojnë të angazhohen në akte piraterie dhe grabitjeje detare nën të ashtuquajturën bllokadë,” deklaroi ai, sipas agjencisë gjysmëzyrtare Fars.

Sipas tij, kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit është rikthyer “nën menaxhim të rreptë të forcave të armatosura”, dhe kjo do të vazhdojë derisa SHBA të ndalojë bllokadën ndaj anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet iraniane.

Të fundit nga rubrika