Irani ka mohuar përfshirjen në një sulm me dron në një bazë amerikane pranë kufirit të Jordanisë me Sirinë, që vrau tre trupa amerikane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës fajësuan për sulmin “grupet militante radikale të mbështetura nga Irani”, të cilat lanë gjithashtu dhjetëra të plagosur.

Presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua për hakmarrje.

“Ne do të përgjigjemi”, ka thënë Biden.

Është hera e parë që një sulm vret trupat amerikane në rajon që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Ka pasur sulme të tjera në bazat amerikane në rajon, por para së dielës nuk ka pasur viktima, sipas ushtrisë amerikane.

Nuk është e qartë se kush qëndron pas këtij sulmi të fundit.

Biden tha se SHBA-ja “do t’u kërkojë llogari të gjithë atyre që janë përgjegjës në një kohë dhe në mënyrën e zgjedhjes sonë”.

Irani mohoi akuzat e SHBA-së dhe të Britanisë se mbështet grupet militante të fajësuara për sulmin.

“Këto pretendime janë bërë me qëllime specifike politike për të përmbysur realitetet e rajonit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanaani, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Teheranit, IRNA.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden u informua të dielën në mëngjes për sulmin nga sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe zyrtarë të tjerë.

“Jill dhe unë bashkohemi me familjet dhe miqtë e të rënëve tanë – dhe amerikanëve anembanë vendit – në pikëllimin e humbjes së këtyre luftëtarëve në këtë sulm të neveritshëm dhe tërësisht të padrejtë,” tha zoti Biden në një deklaratë.

Emrat e ushtarakëve të vrarë dhe të plagosur nuk janë bërë ende të ditur ndërsa zyrtarët po punojnë për të njoftuar familjet e tyre./BBC