Irani paralajmëron se mund të pasurojë uranium deri në nivel armësh nëse sulmohet

Një zyrtar i lartë i Komisionit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme në parlamentin iranian, Ebrahim Rezaei, ka paralajmëruar se Irani mund të rrisë pasurimin e uraniumit deri në 90 për qind nëse vendi sulmohet sërish.

“Një nga opsionet e Iranit në rast të një sulmi tjetër mund të jetë pasurimi 90 për qind. Këtë do ta shqyrtojmë në parlament,” ka shkruar Rezaei në rrjetin X.

Deklarata vjen në një kohë tensionesh të larta, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli vazhdojnë të shprehin shqetësim për programin bërthamor iranian.

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se një nga qëllimet kryesore të ndërhyrjes ndaj Iranit është të parandalohet zhvillimi i armëve bërthamore.

Irani, nga ana tjetër, këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor, megjithëse raportohet se ende nuk ka dorëzuar mbi 400 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60 për qind – një nivel teknikisht shumë afër shkallës 90 për qind që konsiderohet i nevojshëm për armë bërthamore.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se lufta nuk do të përfundojë derisa Irani të mos ketë më uranium të pasuruar.

“Nuk ka përfunduar, sepse ende ka material bërthamor – uranium të pasuruar – që duhet të hiqet nga Irani. Ka ende objekte pasurimi që duhet të çmontohen,” tha Netanyahu për emisionin “60 Minutes” në CBS.

I pyetur se si duhet të hiqet ky material, ai u përgjigj: “Hyn dhe e merr.”

Të fundit nga rubrika