Irani po shqyrton mundësinë për të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Pakistan, ka deklaruar për Reuters një zyrtar i lartë iranian, në një kohë kur po afrohet afati i përfundimit të armëpushimit dyjavor.
Sipas tij, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka thënë se shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit nga SHBA-ja po pengojnë seriozisht procesin diplomatik.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance pritet të udhëheqë delegacionin amerikan në Islamabad të martën, nëse Irani pranon të marrë pjesë në bisedime.
Delegacioni amerikan do të përfshijë edhe të dërguarin special të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe Jared Kushner, këshilltar dhe dhëndër i presidentit amerikan.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se ekziston një “mosbesim i thellë historik” ndaj SHBA-së dhe ka shprehur shqetësim për sinjalet “kontradiktore dhe joproduktive” nga Uashingtoni, të cilat sipas tij synojnë presion dhe dorëzim.
Një zyrtar tjetër iranian për Reuters ka thënë se Teherani po e shqyrton “në mënyrë pozitive” pjesëmarrjen, ndërsa raportohet se delegacioni iranian mund të udhëhiqet sërish nga kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf.
Megjithatë, Ghalibaf ka deklaruar se Irani nuk pranon negociata nën kërcënime dhe ka akuzuar presidentin amerikan për përpjekje për ta kthyer procesin në “dorëzim të plotë”.
Teherani kërkon gjithashtu heqjen e bllokadës amerikane në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Trump ka përsëritur qëndrimin se Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë zhvillimi i armës bërthamore.
Në zhvillimet më të fundit, SHBA fillimisht njoftoi se delegacioni po nisej drejt Islamabadit, por më pas zyrtarët amerikanë sqaruan se nisja e JD Vance është planifikuar për të martën në mëngjes, nëse bisedimet zhvillohen.
Nëse realizohen, raundi i ri i negociatave mund të mbahet të mërkurën, në një moment tensionesh të larta dhe pasigurie për vazhdimin e armëpushimit.