Sipas autoriteteve në Teheran, numri i viktimave nga sulmi ndaj një shkolle për vajza në Minab, në provincën iraniane të Hormozganit, ka shkuar në të paktën 70 të vdekur dhe 90 të plagosur. Këtë e ka bërë të ditur rektori i Universitetit të Shkencave Mjekësore të Hormozganit.

Ndërkohë, sot është shënuar një përshkallëzim i madh i konfliktit mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Izraeli dhe SHBA-ja kanë ndërmarrë një seri sulmesh ushtarake ndaj objektivave të ushtrisë iraniane, duke përdorur kryesisht raketa dhe avionë luftarakë kundër bazave ushtarake dhe pikave strategjike në territorin iranian. Sipas deklarimeve të tyre, qëllimi i operacionit ka qenë dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit dhe parandalimi i kërcënimeve që, sipas tyre, lidhen me programet raketore dhe ushtarake iraniane.

Në Teheran dhe në disa qytete të tjera janë raportuar shpërthime të fuqishme, si dhe dëme materiale në zona të banuara. Ka njoftime për viktima, përfshirë edhe civilë.

Pas këtyre sulmeve, Irani ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë kundërgoditje me raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake ku janë të vendosura forcat amerikane dhe, në disa raste, duke qëlluar edhe drejt Izraelit. Këto zhvillime kanë shkaktuar shpërthime dhe alarme në disa pjesë të rajonit, veçanërisht në vendet ku stacionohen trupat amerikane.

Situata mbetet shumë e tensionuar, duke rritur frikën për një përhapje më të gjerë të konfliktit në nivel rajonal, pasi goditjet dhe lëshimet e raketave po prekin edhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.