Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar se Teherani ka siguruar një draft të një kornize fillestare jozyrtare për një memorandum mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara.
Sipas këtij drafti, Irani do të rikthente lundrimin tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit në nivelet para luftës brenda një muaji, ndërsa SHBA-ja do të tërhiqte forcat ushtarake nga afërsia e Iranit dhe do të hiqte bllokadën detare.
Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane ka deklaruar se një rikthim i luftës me Shtetet e Bashkuara është i pamundur, por ka paralajmëruar se Irani mbetet i gatshëm për çdo sulm të mundshëm.
Deklaratat vijnë një ditë pasi Teherani akuzoi SHBA-në për shkelje të armëpushimit që është në fuqi që nga prilli dhe paralajmëroi se do të përgjigjet, pas sulmeve më serioze që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së përkohshme.
Në Liban, ku dhuna vazhdon pavarësisht armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut, sulmet izraelite të së martës kanë lënë të vdekur 31 persona, përfshirë katër fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.
Zyrtari i Gardës Revolucionare, Mohammad Akbarzadeh, është cituar nga agjencia “Tasnim” duke thënë se mundësia e një lufte të re është e ulët për shkak të “dobësisë së armikut”, duke shtuar se forcat iraniane janë të gatshme dhe në gatishmëri të plotë.