Irani thotë se është gati për atë që SHBA-ja e quan “ofensiva më e madhe financiare ndonjëherë”

Irani ka bërë të ditur se ka një plan dyvjeçar për t’u përballur me zgjerimin e sanksioneve amerikane, pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan një ofensivë të gjerë ekonomike kundër Teheranit dhe kërcënuan me izolim edhe vendet që bashkëpunojnë financiarisht me Iranin.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e përshkroi masën si “ofensivën më të madhe financiare” të ndërmarrë ndonjëherë kundër Iranit. Ai tha se SHBA-ja synon të ndërpresë lidhjet ekonomike me Iranin dhe të izolojë çdo shtet që vazhdon të ketë bashkëpunim financiar me Teheranin.

Ministri iranian i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, tha se vendi i tij është i përgatitur për masat e reja.

“Qeveria është dhe ka qenë e përgatitur dhe ka një plan dyvjeçar për t’i menaxhuar këto zhvillime”, tha Madanizadeh për televizionin shtetëror iranian.

Ai shtoi se Irani ka “mjetet e veta” dhe se di “si të luajë këtë lojë”, duke parashikuar se masat amerikane do të përbëjnë një tjetër humbje për Uashingtonin.

Sipas tij, as Kina dhe as Rusia nuk i kanë pranuar masat amerikane, ndërsa shprehu bindjen se edhe shtete të tjera do t’u rezistojnë atyre.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se sanksionet dhe presioni nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve dhe se Pekini do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e tij.

Ndërkohë, konflikti ka shkaktuar rritje të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Irani ka paralajmëruar se, nëse lufta vazhdon, mund të ndërpresë të gjitha eksportet e naftës nga rajoni.

Sipas Reuters, regjimi iranian ka lëshuar gjithashtu një paralajmërim të ri për anijet, duke u kërkuar atyre të mos kalojnë nëpër ngushticën e Hormuzit pa leje.

Nëpërmjet kësaj ngushtice të ngushtë detare, në jug të Iranit, zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë. Megjithatë, që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit, qarkullimi në këtë zonë është bllokuar në masë të madhe nga Irani, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës në tregjet globale.

Gjatë një konference për media të hënën, Bessent tha se SHBA-ja po nis atë që është quajtur “Operation Economic Outcast”, një ofensivë ekonomike kundër lidhjeve financiare të Iranit në mbarë botën.

“Ne nuk po e menaxhojmë më kërcënimin iranian, por po i japim fund atij”, deklaroi Bessent.

Ai tha se Departamenti amerikan i Thesarit ka identifikuar rrjetet, ndërmjetësit dhe kanalet financiare që Irani përdor për t’iu shmangur sanksioneve dhe për të tregtuar naftën.

Departamenti i Thesarit njoftoi gjithashtu masa ndaj pesë sektorëve të lidhur me Iranin: asetet digjitale, teknologjinë, arin, aviacionin dhe transportin detar, raporton BBC.

Në kuadër të masave të reja, SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj rreth 60 subjekteve, individëve dhe anijeve.

Të fundit nga rubrika