Irani po kërkon një marrëveshje bërthamore me Shtetet e Bashkuara që do të sillte përfitime ekonomike për të dyja palët, ka deklaruar një diplomat iranian, disa ditë para raundit të dytë të bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Irani dhe SHBA-ja kanë rifilluar negociatat këtë muaj për të adresuar mosmarrëveshjen disa dekadëshe mbi programin bërthamor të Teheranit dhe për të shmangur një përballje të re ushtarake. Sipas zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni ka dërguar një aeroplanmbajtëse të dytë në rajon dhe po përgatitet për mundësinë e një fushate të zgjatur ushtarake nëse bisedimet dështojnë.
Zëvendësdrejtori për diplomaci ekonomike në Ministrinë e Jashtme të Iranit, Hamid Ghanbari, cituar nga agjencia gjysmëzyrtare Fars, ka thënë se për qëndrueshmërinë e marrëveshjes është thelbësore që edhe SHBA-ja të përfitojë ekonomikisht.
“Sektori i naftës dhe gazit, fushat e përbashkëta energjetike, investimet në miniera dhe madje edhe blerjet e avionëve janë pjesë e negociatave”, ka deklaruar ai, duke shtuar se marrëveshja bërthamore e vitit 2015 nuk kishte siguruar interesa ekonomike për SHBA-në.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një konference për media në Bratislavë, ka thënë se presidenti Donald Trump preferon diplomacinë dhe një zgjidhje të negociuar.
“Nuk ka pasur kurrë një marrëveshje të suksesshme me Iranin, por ne do të përpiqemi”, ka thënë Rubio, raporton Reuters.
Në vitin 2018, Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe riktheu sanksionet e ashpra ekonomike ndaj Iranit.
Sipas burimeve të Reuters, një delegacion amerikan, ku përfshihen të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të takohen me zyrtarë iranianë në Gjenevë. Takimi është konfirmuar edhe nga një zyrtar i lartë iranian.
Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takht-Ravanchi, ka sinjalizuar gatishmërinë e Iranit për kompromis, duke thënë për BBC se “topi është në fushën e Amerikës” për të dëshmuar vullnetin për marrëveshje.
Ai ka theksuar se Irani mund të pranojë të hollojë uraniumin e pasuruar në nivelet më të larta në këmbim të heqjes së sanksioneve, por ka përsëritur se Teherani nuk do të pranojë ndalimin e plotë të pasurimit të uraniumit.
Në qershor, SHBA-ja iu bashkua Izraelit në sulme ajrore që shënjestruan objektet bërthamore iraniane.
Po ashtu, raportimet e Axios bëjnë të ditur se gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu janë pajtuar që SHBA-ja të punojë për të ulur eksportet e naftës iraniane drejt Kinës.
Kina përbën mbi 80% të eksporteve të naftës së Iranit, ndaj çdo reduktim i këtij tregu do të ndikonte ndjeshëm në të ardhurat e Teheranit.
Teherani kërkon heqjen e sanksioneve për marrëveshje bërthamore me Uashingtonin