Irani thotë se nuk do të negociojë për kapacitetet e tij raketore
Irani ka bërë të qartë se aftësitë e tij raketore nuk janë dhe nuk do të jenë pjesë e asnjë negociate. Kështu ka deklaruar të mërkurën Ali Shamkhani, këshilltar i liderit suprem të Iranit, në një kohë kur Teherani dhe Uashingtoni po shqyrtojnë një raund të ri bisedimesh për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. “Programi […]
Irani ka bërë të qartë se aftësitë e tij raketore nuk janë dhe nuk do të jenë pjesë e asnjë negociate.
Kështu ka deklaruar të mërkurën Ali Shamkhani, këshilltar i liderit suprem të Iranit, në një kohë kur Teherani dhe Uashingtoni po shqyrtojnë një raund të ri bisedimesh për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
“Programi raketor i Republikës Islamike është i panegociueshëm”, ka thënë Shamkhani, sipas mediave shtetërore iraniane, gjatë pjesëmarrjes në një marsh për shënimin e 47-vjetorit të Revolucionit Islamik.
Deklarata vjen pasi diplomatë amerikanë dhe iranianë zhvilluan javën e kaluar bisedime indirekte në Oman, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë rritur praninë ushtarake detare në rajon, duke ushtruar presion ndaj Iranit.
Uashingtoni prej kohësh ka kërkuar që negociatat për programin bërthamor iranian të përfshijnë edhe programin raketor të Teheranit.
Megjithatë, Irani ka deklaruar se është i gatshëm të diskutojë kufizime në programin e tij bërthamor vetëm në këmbim të heqjes së sanksioneve, duke përjashtuar çdo lidhje të kësaj çështjeje me raketat apo tema të tjera, raporton Reuters.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të përdorë takimin e tij me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington, të mërkurën, për të kërkuar që çdo marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit të përfshijë edhe kufizime ndaj programit raketor iranian.















