Ish-deputeti Gëzim Kelmendi ka thënë se krijimin e Gjykatës Speciale e kishte votuar nga besimi që kishte tek amerikanët, ndonëse një gjë të tillë thotë se nuk e kishte bërë nga dëshira.

I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Kelmendi ka thënë se vendimi për të votuar Specialen ishte ndër më të vështirit që kishte marrë në kohën e tij si deputet.

“Në parim ka qenë njëra ndër vendimet më të vështira gjersa kam qenë deputet në Kuvendin e Kosovës. Nuk ka qenë vendim i lehtë e të mbështetet ky projekt ndërkombëtar. I them projekt ngase nuk ishte as vullnet as dëshirë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pa dallim partie, që të votohet një Gjykatë e tillë”, ka deklaruar ai.

Krahas kësaj, Kelmendi ka thënë se si deputetë, gjendeshin para dy opsioneve, por se vendimin e kishte marrë duke i besuar SHBA-së.

“Nuk kam vërejtur dilema në anën e tyre (Për LDK-në) përderisa dilemat më të mëdha kanë qenë brenda Partisë Demokratike dhe neve të tjerëve..nuk ishte e lehtë të them të drejtën, por ishim para një akti të kryer. Domethënë ishim para një vendimi që me zgjedh atë që ishte më pak e dëmshme apo shumë e dëmshme. Më pak e dëmshme ishte që të votohet Gjykata Speciale e cila paralajmëroi që nëse nuk do të votohej në Kuvendin e Kosovës, na pritnin paralajmërime se do të kalonte në OKB dhe ku ndikimi i Rusisë dhe Kinës ishte krejt tjetër. Dhe, ajo që ishte kryesore është që arsyeja të cilën e kam votuar këtë Gjykatë Speciale, dua ta them këtu me sinqeritetin më të lartë, me modestinë më madhe, i kam besuar amerikanëve. Ishte dëshira dhe kërkesa e tyre, ishte qëndrimi i tyre që të votohej Gjykata Speciale dhe unë si deputet i kam besuar amerikanëve dhe e kam votuar, jo se kam pasur dëshirë unë apo dikush tjetër. I kam besuar dhe e kam votuar, nuk e di si do të jetë epilogu përfundimtar”, ka deklaruar ai.

Gjersa rithekson se nuk kishte vullnet të asnjë partie për ta votuar atë, Kelmendi ka thënë se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe pret që ata të dalin fitimtarë.

Së bashku me Jakup Krasniqin, në Hagë po gjykohen edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Të njëjtit janë deklaruar të pafajshëm para akuzave të cilat përmbajnë krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.