Agim Nesho, ish-diplomat shqiptar, ka folur lidhur me ndikimin e sulmit të Banjskës në rolin ndërkombëtar të Kosovës.

Nesho ka thënë se kjo ngjarje ishte një pikë kthese.

“Një nga ngjarjet që ishte pika e kthesës për të gjithë atë naivitet ose politikë të pamenduar mirë të Bashkimit Evropian, e cila kërkonte që të afronte nacionalizmin serb duke i dhënë diçka në hapësirat e tij serbe [të banuara me serbë]. Prandaj, ngjarja e Banjskës ishte një ngjarje e paramenduar mirë, një agresion i hapur, i sponsorizuar nga shteti i Serbisë për ta bërë që veriu i Kosovës të mbetej një konflikt i hapur”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pavarësisht dështimit, vetë ngjarja e Banjskës ishte pikërisht një formë e fshehur apo e manipuluar, e ngjashme me ngjarjet që kishin ndodhur më parë në Krime të Ukrainës.

“‘Populli i revoltuar’ serb i veriut të Kosovës ngrihej dhe kërkonte të drejtat e tij që po shtypeshin nga regjimi i Prishtinës… për të treguar lëvizjet e brendshme që do të sillnin këtë shpërthim dhe atëherë do të ishte pikërisht ndihma që do të vinte nga Serbia për ta bllokuar konfliktin… dhe veriu i Kosovës do të mbetej një konflikt i ngrirë”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo ishte skema e nacionalistit Vuçiq, por që dështoi.

Ish-diplomati Nesho më tej ka theksuar se Banjska ka treguar qartë se cilat ishin ambiciet e shovinizmit serb në raport me Kosovën.