Stafi i RTV Besa është kërcënuar me jetë nga ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren, Lulzim Kabashi.
Këtë e ka bërë të ditur vetë mediumi lokal, ku kanë thënë se Kabashi ka bastisur zyret e mediumit dhe është kanosur e ka kërcënuar stafin.
“Lulzim Kabashi ‘bastis’ zyret e Rtv Besa dhe kanos mediumin pas publikimit të një lajmi. Ish-kryetari i AAK-së në Prizren, Lulzim Kabashi, ka ‘bastisur’ dje pasdite zyret e Rtv Besa ku duke u kanosur dhe kërcnuar mediumin lokal Rtv Besa. Ai ka kërcnuar me jetë për shkak të një lajmi të publikuar nga mediumi për një ish-kandidat të AAK-së në zgjedhjet e fundit lokale të arrestuar dje nën dyshimin për posedim të substancave narkotike. Rasti është paraqitur në Policinë e Prizrenit”, thuhet në njoftimin e mediumit RTV Besa.
Për këtë rast ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku i bëjnë thirrje Policisë së Kosovës që ta trajtojë rastin me prioritet, në mënyrë që stafi i RTV Besa ta ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar.