Në ditën e parë të gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fjalën e Prokurorisë u pretendua për shtatë zona të ndalimit në gjithë Kosovë madje edhe jashtë saj.

Ndalime të tilla u pretendua se u bënë edhe në zonën e Llapushnikut në prill-korrik të 98-s, ku sipas disa fotografive që prezantoi prokurori Whitting, të paktën 30 persona u mbajtën aty jashtëligjshëm.

Por, ata që shërbyen në këtë zonë, ish-ushtarët e UÇK-së dhe drejtues të tyre mohojnë këto pretendime.

“Ku supozohet nga gjykata sot, burg nuk ka pas, kurrë asnjëherë, edhe na nuk kemi pas asnjë mundësi që të mbahen të burgosur, na mezi kemi bo luftë, se ata më ka gjujt prej Goleshi, më ka gjuajt prej Quke”, ka thënë Elmi Sopi.

Krejt këto pretendime të Prokurorisë së Specializuar, ai po i quan thashetheme.

“Kurrë asnjëherë, edhe na si ushtarë të UCK-së nuk kemi luftu kundër popullatës serbe, ne kemi luftu kundër policisë dhe ushtrisë serbe edhe asnjëherë nuk kemi pas mundësi që t’i zëmë serbët edhe t’i burgosim, këto janë thashetheme dhe intriga të Serbisë”, ka vijuar Sopi.

Të njëjtën e thotë edhe ushtari i Brigadës “Pllumbi” në zonën e Llapushnikut, Alush Thaçi.

“unë mendoj që ajo cka u pretendua në Gjykatë nuk qendron dhe nuk ka fakte absolutisht sepse në Grykën e Llapushnikut është bërë luftë e jo ndalim i njerëzve, maltretim, rrahje ose siç edhe po flitet edhe burgosje kështu që deri sa ka përfundu lufta nuk ka pas arrestime të asnjë personi”, ka thënë Thaçi.

Në fjalën hyrëse të Prokurorisë së Specializuar u pretendua se Shtabi i UÇK-së në Llapushnik ndodhej në një kompleks të rrethuar ku ishte një stallë lopësh, në të cilën pretendohet se u mbajtën të burgosur.