Ish-minatori proteston para Kuvendit, veterani i UÇK-së nis grevë urie – kërkojnë konstituimin e institucioneve
Pak orë para mbajtjes së seancës së 48-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, dy qytetarë – një ish-minator dhe një veteran i UÇK-së – kanë protestuar para objektit të Kuvendit, duke kërkuar zgjidhje të ngërçit politik dhe konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve. Hajrullah Haliti, ish-minator nga Stan Tërgu, tha se është i […]
Pak orë para mbajtjes së seancës së 48-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, dy qytetarë – një ish-minator dhe një veteran i UÇK-së – kanë protestuar para objektit të Kuvendit, duke kërkuar zgjidhje të ngërçit politik dhe konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve.
Hajrullah Haliti, ish-minator nga Stan Tërgu, tha se është i zhgënjyer me politikanët dhe me mënyrën se si po neglizhohet e kaluara dhe sakrifica e minatorëve. Ai rikujtoi marshimin historik të minatorëve më 17 nëntor 1988, kur për 52 kilometra ecën deri në Prishtinë për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Jam prej ish-minatorëve që më 17 nëntor 88-ës kemi ardh në këmbë 52 kilometra nga Stan Tërgu në Prishtinë për të kërku të drejtën tonë. Tash, 1.260 ishim atëherë, vetëm 217 jemi gjallë. Po na cenohen të drejtat, Trepçën po na e shfrytëzojnë. Ua dhamë votat, ju besuam, por na keqpërdorin. Kërkesa jonë është që pa dallim partie ta formojnë sa më shpejt Kuvendin dhe Qeverinë, që mos me i dhënë kënaqësi shkaut. Boll na kanë torturu, pre e dhunu”.

Ai theksoi se nuk po akuzon ndonjë parti në veçanti, por kërkon përgjegjësi dhe veprim nga të gjithë deputetët.
Ndërkohë, Lulzim Prokshi, veteran i UÇK-së nga Drenasi, i cili jeton në Kroaci, ka paralajmëruar grevë urie nëse nuk ka vendim konkret për tejkalimin e bllokadës.
“Unë do të bëj grevë urie derisa këta të vendosin. I ftoj të gjithë veteranët të më bashkohen, sot është momenti i fundit. Populli më nuk duron. Kam ardh nga Kroacia për këtë – sa muaj kaluan pa Kuvend, boll është!”
Tashmë kanë mbetur vetëm 9 ditë nga afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ndërsa ngërçi politik po zvarritet tash e pesë muaj pa zgjidhje.















