Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Todosijeviq, lirohet nga të gjitha akuzat

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, lirohet nga të gjitha akuzat pas deklaratës për Reçakun

Seanca ndaj të akuzuarit Ivan Todosijeviq

Gjykata Supreme e Kosovës ka liruar zyrtarin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, nga të gjitha akuzat për gjuhë të urrejtjes në deklaratën e tij ku mohonte masakrën e Reçakut.

Vendimi nënkupton se edhe aktgjykimi i mëparshëm me të cilin ai ishte dënuar me një vit burgim, anulohet.

Lajmin për lirimin e tij nga të gjitha akuzat e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati i tij, Nebojsha Vlajiq.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është i formës së prerë, nuk ka më ankesa apo procedurë, zoti Todosijeviq është njeri i lirë”, tha Vlajiq.

Ivan Todosijeviq u gjykua dy herë për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”. Herën e parë ai u dënua me dy vjet burg, por Gjykata e Supreme e Kosovës mori vendim në fund të vitit 2021 që gjykimin ta kthejë në fillim.

Në një gjykim të përsëritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ai është dënuar me një vit burgim.

Gjyqi ndaj tij është zhvilluar për shkak të gjuhës së urrejtjes. Todosijeviq ka deklaruar në mars të vitit 2019 se arsye për “agresionin e NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Todosijeviq është anëtar i kryesisë së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Ai është edhe kryetar i komunës paralele serbe të Zveçanit.

Në kohën kur Todosijeviq bëri deklaratat për masakrën e Reçakut, ai mbante postin e ministrit të Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës. Më pas, ai u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përveç se i kishte cilësuar si “trillim” ngjarjet në Reçak, deklaratat e bëra në 20-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershëm, Todosijeviq tha po ashtu se “terroristët shqiptarë, që i shpikën të gjitha, i bënë krimet më të mëdha në Kosovë dhe Metohi, për të cilat askush nuk është burgosur dhe nuk ka dhënë përgjegjësi deri më sot”.

NATO-ja nisi sulmet ndaj caqeve serbe për të parandaluar dhunën e ushtruar nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kësaj ngjarje i parapriu vrasja e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak të Shtimes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht i ka dalë në mbrojtje Todosijeviqit, duke thënë se ai beson se “Reçaku është trillim” dhe se serbët në Kosovë nuk kanë të drejtë të lirisë së fjalës./ REL

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika