Ish-ministrja Hoxha dhe tre të akuzuarit e tjerë deklarohen të pafajshëm për korrupsion

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuarit tjerë Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi, janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me akuzat për korrupsion

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) përmes aktakuzës së ngritur ndaj ish-ministres Hoxha po pretendon se ajo ka keqpërdorur detyrën zyrtare si ministre, nën dyshimin se kishte përdorur kontratën e MIE-së, për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

Sipas aktakuzës, e cila është ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE-së dhe me operatorin ekonomik “PR Solution”.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë, duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.

Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah fushatën e të pandehurës Hoxha, në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar kësaj të fundit përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.

I pandehuri, Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare, pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE, që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me kontratën në fjalë, të shpërblehej OE “PR Solution”.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri, Mustafa ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I pandehuri, Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura, Dhurata Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa, edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara si publikimi i banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I pandehuri, Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë kontratë me MIE-në, me qëllimin e informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në shërbimet në përputhje me kontratën, edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbime të ofruara konform kushteve të kontratës, sipas dosjes së tenderit.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’u ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike.

Ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues me urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Hoxha për korrupsion është duke u akuzuar edhe në një rast tjetër.

Gjykatësi, Vesel Ismaili ka bërë të ditur se seanca e shqyrtimit të dytë do të mbahet më 15 korrik 2022.

Shtyhet seanca fillestare për korrupsion ndaj ish-ministres Hoxha dhe të tjerëve

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika