Ish-oficeri i ushtrisë britanike thotë se shqiptarët kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari i 25-të, Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike ka thënë se shqiptarët kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari i 25-të (me kodin 03724), Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, ka thënë se shqiptarët kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në kundërpyetjet e mbrojtjes së Selimit, avokatit Geoffrey Roberts.

“Nga marrëdhëniet e mia të zgjeruara me shqiptarët dhe veteranët e UÇK-së ishte pjesërisht nga psikologjia kombëtare dhe karakteri kombëtar që ata dëshironin që forca e tyre të shihej si e nderuar dhe përfaqësues të fitores kombëtare, dua të them se kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike”, ka thënë dëshmitari Young.

Këtë e tha si arsyetim se pse kishte thënë se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dëshironin të shiheshin si ushtri e organizuar.

Kurse, si arsye të parë ai tha se kishte që UÇK-ja të prezantohej në mënyrë sa më të mirë para organizatave ndërkombëtare, në mënyrë që të demonstronin legjitimitet dhe të ekzagjeronin nivelin e organizimit në krahasim me çka ishte në realitet, për të inkurajuar shtetet të ndihmonin UÇK-në.

Po ashtu, dëshmitari Young tregoi se sa i përket komunikimit kishte qenë dëshmitar se ushtarët nuk kishin pasur radiolidhje dhe se ishin shkrepur plumba në ajër dhe me armë pa pushim, sipas tij për të dhënë udhëzimin Komandant Drini për armëpushim.

Lidhur me pikat e kontrollit, ai tha se personalisht kishte kaluar në dy prej tyre, por se kishte parë edhe të tjera.

Në anën tjetër, i pyetur për deklarimin e mëparshëm se kolegu i tij kishte takuar “10-shin”, ai ka shtuar se nuk kishte qenë në njohuri se kush ishte apo nëse ishte një person apo një departament.

Duke i lexuar pjesë të deklaratës së dëshmitarit në TPNJ u tha se kishte deklaruar se kolegu i tij e kishte njohur “10-shin” si përfaqësuesin e shefit të inteligjencës apo se në raportin për incidentin të misionit verifikues kishte thënë se kolegu njohu shefin e operacioneve sekrete të UÇK-së.

Dëshmitari sërish u pyet për takimin e tij me Fatmir Limaj, ku dha detaje se fillimisht kishte qenë takimi me Skenderin, i cili i udhëzuar nga Komandant Drini i kishte çuar në vendtakim në Tërpezë.

Ai ka shtuar se në atë takim i njëjti kishte qenë me qëndrimin se Komandat Drini iu kishte dhënë qasje te personi në fjalë, por se aty kishte qenë i vetëdijshme se kishte të bënte me një nivel më të lartë dhe mbi Komandant Drinin.

Young ka potencuar se para se të largohej nga takimi, kolegët e tij i kishin informuar se personi që takuan ishte Fatmir Limaj-Komandat Çeliku.

I njëjti sqaroi se ai takim ka qenë me mosmarrëveshje, pasi, sipas tij, Limaj i kishte thënë se Young ka simpati ndaj serbëve dhe kishte përmendur personin e zhdukur, andaj, sipas tij, nuk ishte e kuptueshme që të kthehej nga makina për të verifikuar identitetin e tij.

Siç thotë ai, shqetësues ishte edhe fakti se po përballej me një person që nuk ishte nën kontrollin e Komandat Drinit dhe se ai ishte ndier i pasigurt.

Dëshmitari tha se ky person po fliste në emër të niveleve më të larta dhe qartësisht u kishte thënë se personi tanimë është nën kontroll të Shtabit të Përgjithshëm dhe se, sipas tij, i binte se negociatat e deritanishme me Komandant Drinin nuk kishin vlerë.

Ndërkaq, i pyetur nëse asnjëherë s’kishte pasur dyshime se ai ishte personi që i ishte thënë se ishte, dëshmitari tha se ai kishte pasur njohuri të mëparshme për llojet e operacioneve që personi ishte i përfshirë në parë dhe se emri përputhej me paraqitjen e tij.

Seanca po vazhdon në sesion publik.

Ndryshe, gjykatësi Charles Smith ka urdhëruar ZPS-në që deri në fund të ditës së nesërme të paraqesin listën e dëshmitarëve që do të thirren për tri javët në vazhdim.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi, derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.

Më 4 prill, mbrojtja e Thaçit, e Veselit dhe e Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse, derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të, i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë, filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17-të, Dragica Bozhaniq.

E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.

Më 11 shtator ka filluar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, i cili pas një ndërprerjeje ka përfunduar dëshminë më 13 shtator, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të, që po ashtu përfundoi dëshminë në seancën e 13 shtatorit.

Në të njëjtën ditë ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të, Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Betimi për Drejtësi.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika