Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Safet Gashi, i cili po dëshmon të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tha se nuk e ka njohur Pjetër Shalën gjatë kohës së luftës.

Dëshmitari Gashi tha se Shalën nuk e ka parë ndonjëherë gjatë asaj kohe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kurrë në jetë nuk e kam njoftuar atë njeri. As që e kam pa ndonjëherë. Kurrë pa atë njeri s’e kam. Ju betohem”, tha Gashi.

I pyetur se a kishte parë ndonjë uzinë të Fabrikës në Kukës, dëshmitari mohoi një gjë të tillë dhe tha se nuk kishte informacion nëse kishte ndonjë Shtab tjetër të UÇK-së në këtë qytet.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet se kur i është bashkuar UÇK-së, mirëpo një gjë të tillë e ka bërë për të luftuar kundër forcave serbe.

Safet Gashi tha se ka qenë pjesë e Brigadës 128, e cila e ka pasur bazën në Guruzhup, ndërsa shtoi se komandant i përgjithshëm i kësaj Brigade ka qenë Ruzhdi Sermati, të cilin e ka parë vetëm 2-3 herë.

Dëshmitari Gashi tha se ka qenë në togun e njësisë speciale në kohën sa ishte pjesëtar i Brigadës 128.

“Unë po flas për Brigadën teme. Brigada është 128. Unë për vete jam kanë e i kam kryer ushtrimet në Goruzhup. (Pjesëtarët e Brigadës) kanë nejtë edhe në vende tjera, por nuk jam në dijeni se ku kanë nejtë. Unë për vete nuk kam lujtë kërkah, aty kam nejtë se ka pas luftime. Unë kam qenë në njësinë speciale. Ne jemi kanë në vijën e parë të frontit. Ky tog merr prej 11 deri në 15 ushtarë”, tha dëshmitari Gashi.

I pyetur se a ka qenë më herët në Kukës gjatë luftës, dëshmitari tha se ka shkuar për armatim.

“Nuk më kujtohet, por mars u kanë ‘99-të viti. Kam shkuar me 4-5 shokë për të marrë armatim. Kjo është edhe pyetja më herët që thashë jam kanë në Shqipëri. Veç jemi ndalur pak, kemi pushuar. Nuk thashë që kemi nejtë në Kukës, po kemi shkuar në Kolsh apo Kalimash, nuk më kujtohen këto dy katune”, tha dëshmitari, duke theksuar që nuk i kujtohet saktë se në cilin vend në Kukës ka qenë.

Ndryshe, gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari nga ana e mbrojtjes së Shalës, përfaqësuesit e ZPS-së thanë se ai po bën pyetje sugjestive. Vërejtjen ia tërhoqi edhe kryetarja e trupit gjykues, MappieVeldt-Foglia.

“Nuk na ndihmon të marrim në pyetje dëshmitarin duke bërë pyetje sugjestive”, i tha kryetarja e panelit gjykues avokatit Jean-Louis Gilissen.