Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën një të dyshuar i identifikuar si B. XH., 56-vjeçar, i cili ka qenë një ish-zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj deri në vitin 2019.

56-vjeçari akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të regjistrimit të një shtetasi turk në sistemin elektronik të gjendjes civile pa i plotësuar kriteret e fitimit të shtetësisë.

“I dyshuari, B. XH., (viti i lindjes 1967, mashkull kosovar), ish zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj, derisa ishte në atë pozitë (deri në vitin 2019 – si ofiqar), ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke regjistruar një shtetas të huaj (shtetas turk) në sistemin elektronik të gjendjes civile, pa i plotësuar kriteret e fitimit të shtetësisë”, thuhet në njoftim të Policisë.

Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi turk është pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe pasaportë të Republikës së Kosovës në mënyrë të paligjshme.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

Pas intervistimit, prokuroria ka lëshuar një aktvendim dhe i dyshuari B. XH. është dërguar në ndalim për një periudhë prej 48 orësh.