Zhurma që bënë me një ftesë ishte e madhe.

Janë dy këta prokurorë të cilët vendosen vulën e tyre për ta ftuar, kryeministrin Albin Kurti për të dhënë dëshminë e tij në rastin e rezervave shtetërore.

Megjithëse në konferencën e fundvitit të Prokurorisë Speciale, më shumë u fol për këtë ftesë, prokurorët Milot Krasniqi, e Valdet Gashi nuk thanë asnjë fjalë për këtë.

Gjithçka rreth kësaj çështje foli udhëheqësi i tyre, Blerim Isufaj, i cili tha se deklarimet rreth kësaj teme nuk i bëjnë përshtypje dhe se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

“Do të vazhdojmë të punojmë dhe të jemi të pakompromis kundër të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin pa dallim pa marr parasysh pozitën, rolin që kanë në pushtet apo jashtë tij.. Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe për zyrtarët shtetëror. Ftesa për dhënie dëshmie është një procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka për sipër përgjegjësi ligjore të bashkëpunoj me institucionin e drejtësisë. Prandaj, iu bëjë thirrje të gjitha institucioneve publike, përfshirë edhe qeverinë e Kosovës që të tregoj përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt, se fare nuk më interesojnë”, ka thënë Blerim Isufaj – Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditë më parë, tha se ka pasur në të kaluarën zyrtarë shtetërore që janë intervistuar në qeveri, por që këtë e mohoi Isufaj.

“Prokuroria Speciale dhe sistemi prokurorial dhe gjyqësor nuk janë për të bërë skenarë ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe me Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita dhe as për nga emri. Unë me sinqeritetin më të madhin iu them se unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në zyrën e kryeministrit, ndoshta mund të ketë, por unë nuk di të paktën derisa po bëhen 5 vite që janë kryeprokuror i kësaj prokurorie situata të tilla nuk kemi pas….Deklaratat denigruese dhe fyerjet publike ndaj prokurorëve dhe institucioneve të Prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin e sistemit të drejtësisë por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit.. aktualisht kemi të ngritura aktakuza për 5 ish-ministra të kabineteve tjera qeveritare, nuk e kemi asnjë aktakuzë të ngritur për kabinetin aktual, i kemi të hudhura 17 kallëzime penale për ministrat aktual në detyrë”, ka thënë Blerim Isufaj – Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Ndërkohë që ky institucion është në qendër të kritikave, mbështetje të plotë ndaj Prokurorisë Speciale, ofroi kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj i cili tha se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Kryeministri i Kosovës, javë më parë, u ftua për intervistim në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me rastin e rezervave shtetërore. Mirëpo Kurti nuk u paraqit në prokurori, por ftoi prokurorët në zyrën e tij për ta marr dëshminë e tij.