Izraeli dorëzon trupat e 45 palestinezëve, një ditë pas kthimit të mbetjeve të tre pengjeve izraelite

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq njoftoi se Izraeli ka dorëzuar të hënën trupat e 45 palestinezëve, një ditë pasi militantët palestinezë kthyen mbetjet mortore të tre pengjeve izraelite.

Autoritetet izraelite thanë se tre viktimat ishin ushtarë të vrarë gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, sulm që çoi në shpërthimin e luftës aktuale në Rripin e Gazës.

Ky shkëmbim vjen si pjesë e zbatimit të armëpushimit të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili synon t’i japë fund një prej konflikteve më të përgjakshme dhe më shkatërrimtare mes Izraelit dhe Hamasit.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor, militantët palestinezë kanë dorëzuar trupat e 20 pengjeve izraelite, ndërsa tetë të tjerë vazhdojnë të mbeten në Gaza. Për çdo peng izraelit të kthyer, Izraeli ka dorëzuar trupat e 15 palestinezëve. Me dorëzimin e fundit, numri i përgjithshëm i trupave palestinezë të kthyer ka arritur në 270.

Sipas Kryqit të Kuq, transferimi i 45 trupave palestinezë u krye të hënën në mëngjes. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Zaher al-Wahidi, konfirmoi për agjencinë Associated Press se spitali Nasser i pranoi trupat rreth mesditës.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza bëri të ditur se deri më tani janë identifikuar vetëm 78 nga trupat e kthyer, pasi procesi i identifikimit po pengohet nga mungesa e pajisjeve për testim të ADN-së. Ajo ka publikuar fotografi të mbetjeve në internet, për t’u mundësuar familjeve t’i njohin të afërmit e tyre.

Ndërkohë, Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se trupat e tre pengjeve të kthyer të dielën ishin të kapitenit Omer Neutra – shtetas amerikano-izraelit, të rreshterit Oz Daniel dhe të kolonelit Assaf Hamami. Sipas Hamasit, mbetjet e tyre u gjetën në një tunel në jug të Gazës.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika